Presidenti Ilir Meta ka lënë ditët e fundit Shqipërinë për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një informacion i tillë nuk është bërë publik nga Presidenca, por u zbulua vetëm me anë të një postimi në ‘Facebook‘ nga lobisti libanez, Safi Kaskas.

Siç shihet nga fotot që janë publikuar nga Safi Kaskas, presidenti Meta shoqërohet nga bashkëshortja Monika Kryemadhi. Kjo e fundit, pas zgjedhjeve të 25 prillit është ‘zhdukur’ nga Shqipëria dhe në dy daljet publike që ka pasur është shfaqur si Zonjë e Parë krah presidenti Meta. Dalja e saj e fundit ka qenë në Hugari, në ceremoninë e vendosjes së bustit të Skënderbeut në parkun Qendror të Budapestit.

Takimi i Metës me Kaskas dhe bashkëshortet e tyre është realizur me 20 korrik, ku Kaskas bën me dije se i dhuroi presidentit librin e shkruar prej tij ‘Kurani me Referencat në Bibël’. Ndërsa shkruan se Zonja e Parë e Shqipërisë mori përsipër që ta përkthejë librin në shqip së bashku me një grup studiuesish. 

“Unë dhe gruaja ime patëm një vizitë shumë produktive këtë mëngjes me Presidentin e Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij Ilir Meta dhe gruan e tij Monika Kryemadhi. Ne u dhuruam atyre një kopje të librit tim Kur’ani me Referencat në Bibël. Zonja e Parë e Shqipërisë e donte librin dhe u angazhua për ta përkthyer atë në shqip me një grup studiuesish. Ata gjithashtu na ftuan t’i vizitojmë ata në Shqipëri për të festuar fillimin e përkthimit të librit”, shkruan Kaskas.