Deri më tani, shpenzimet e zyrtarëve për udhëtime jashtë vendit rregulloheshin me një vendim të 2011. Tani, pas 15 vitesh, Qeveria ka rishikuar në rritje, të gjitha kostot.

Kryeministri, Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit do të mund të akomodohen në hotele me pesë yje sa herë që udhëtojnë jashtë Shqipërisë për arsye pune. Të njëjtin standard akomodimi do ta kenë edhe zëvendëskryeministri, zëvendëskryetari i Kuvendit, ministrat dhe nëpunësit e tjerë që kanë pagë të barabartë ose më të lartë se ata.

Rregullat e reja janë përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, të miratuar më 30 korrik 2026 për shpenzimet dhe kompensimin financiar për punonjësit e administratës që dërgohen me shërbim jashtë vendit.

Për deputetët, zëvendësministrat dhe sekretarët e përgjithshëm, vendimi parashikon akomodim në hotele me katër yje. Në të njëjtën kategori hotelerie përfshihen edhe ambasadorët, konsujt e përgjithshëm, të ngarkuarit me punë në përfaqësitë diplomatike, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive në ministri apo institucione të tjera qendrore.

Nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të administratës do të akomodohen në hotele me deri në tri yje.

Përveç hotelit, zyrtarët do të përfitojnë edhe kompensim ditor për ushqimin. Shuma ndryshon sipas funksionit të zyrtarit dhe shtetit ku zhvillohet udhëtimi.

Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit do të marrin nga 120 deri në 150 euro ose dollarë në ditë, në varësi të shtetit që vizitojnë.

Për zëvendëskryeministrin, zëvendëskryetarin e Kuvendit dhe ministrat, dieta do të luhaten po ashtu nga 80 në 120 euro.

Për kategoritë e tjera, vlerat e dietave vijnë duke zbritur.

Deputetët, zëvendësministrat dhe sekretarët e përgjithshëm do të përfitojnë përkatësisht 80, 75 ose 70 euro në ditë. Ambasadorët, konsujt e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët në institucionet qendrore do të marrin 60, 55 ose 50 euro, ndërsa nëpunësit e tjerë do të përfitojnë nga 45 deri në 55 euro në ditë.

Biletat e avionit vajtje-ardhje dhe akomodimi në hotel duhet të rezervohen dhe të paguhen drejtpërdrejt nga institucioni ku punon zyrtari. Në rast se institucioni nuk arrin ta sigurojë paraprakisht hotelin, punonjësi mund ta rezervojë dhe paguajë vetë, për t’u kompensuar më pas kundrejt faturës.

Pjesa tjetër e shpenzimeve që lidhen me udhëtimin do t’i kalojë zyrtarit si paradhënie në llogarinë bankare përpara nisjes.

Buxheti i shtetit do të mbulojë gjithashtu transportin drejt dhe nga aeroporti, udhëtimet ndërmjet qyteteve kur lidhen me aktivitetin zyrtar, tarifat rrugore, siguracionin shëndetësor, vizat dhe taksat e tjera të detyrueshme në vendin pritës.

Por jo çdo shpenzim do të mbulohet nga shteti. Telefonatat nga hoteli ose telefoni personal, konsumi në minibar dhe transporti urban duhet të përballohen nga vetë punonjësi.