TIRANE- Me urdhër të prokurorisë së Tiranës është arrestuar Besim Hoxha, pasi dyshohet se ka ngritur kompani fiktive me qëllim krijimin e përfitimeve nëpërmjet skemës së TVSH.

Nga veprimet hetimore Hoxha, rezulton se së bashku me babain e tij, Dashamir Hoxha, kanë hapur një librari të qujatur “Eraldi 2010”. Nga provat e grumbulluara dhe të dhënat e nxjerra nga sistemi informatik tatimor ( taxcrm )për subjektin “Eraldi 2010” shpk, rezulton se ky subjekt në mënyrë të vazhdueshme në vitet 2010, 2011, 2012 dhe 2013 ka realizuar shitje dhe ka lëshuar fatura tatimore tek blerës të ndryshëm, të cilat nuk i ka deklaruar në librat e shitjeve dhe as në FDP-të mujore të dërguara online në organin tatimor.

Këto fatura rezultojne të jenë deklaruar vetëm në librat e blerjes së këtyre blerësëve me të cilët ky subjekt ka punuar. Sipas faturave të lëshuara, rezulton se subjekti “Eraldi 2010” sh.p.k ka realizuar volume shumë të mëdha pune, të cilat nuk i ka deklaruar dhe për të cilat rezulton se nuk ka automjete të deklaruara për kryerjen e këtyre punimeve. Gjithashtu dhe nga verifikimet e bëra del se ky subjekt nuk ka pasur të deklaruar ndonjëherë punonjës për kryerjen e këtyre volumeve të mëdha.

Nga akti i verifikimit i datës 01.10.2013, pas kërkimeve të bëra rezulton se në adresën e deklaruar nga ky subjekt në vendin e quajtur “Zall Herr”, pikë komanda –Tiranë, nuk ka aktivitet apo pikë ushtrimi aktiviteti. Gjithashtu subjekti “Eraldi 2010” shpk  ka deklaruar në organin tatimor shitje me vlera zero për muajt Korrik, Gusht, Shtator dhe Tetor 2013, pavarësisht se nga dokumentacioni rezulton se ka kryer shitje tek të tretët, ndërsa  për muajin Korrik 2013 ka deklaruar vetëm 3 fatura shitje, ndërkohë që janë administruar 10 fatura të tjera të padeklaruara. Për muajin Qershor 2013 nuk ka deklaruar asnjë faturë tatimore.

Pavarësisht se ky subjekt ka kryer shitje për të tretët, nuk i ka deklaruar ato dhe rrjedhimisht ka shmangur detyrimin tatimor në një vlerë në shumën 13.786.552 vetëm për periudhën korrik – tetor 2013. Ndërkohë që nga dokumentacioni hetimor rezulton se ky subjekt ka që në vitin 2010 e në vazhdimësi që kryen punime me volume të mëdha pune, pa asnjë punonjës të deklaruar, kjo sipas faturave tatimore të lëshuara nga vetë subjekti.

Shkrimi u publikua sot (20.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)