Ish drejtoresha e Postës së Durrësit, e arrestuar për grabitjen e mbi 700 mijë eurove nga fondi i pensioneve dhe ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë dyshohet se ka lëvizur paratë nga arkat e institucionit për në zyrën e saj në sy të kamerave të sigurisë. Pamjet filmike tregojnë komunikimin mes ish-drejtoreshës dhe vartëseve të saj. Nga pamjet e publikuara Duni shfaqet duke lëvizur një qeskë të zezë brenda ambienteve të punës, ku dyshohet se ndodheshin paratë. Në një moment ajo shihet në zyrë me dokumente në duar, ndërsa komunikon me ish-arkëtaren Paola Danaj. Qeska me para lihet mbi dy karrige dhe më pas përfundon në dysheme.
Para togave të zeza treja punonjëset kanë dhënë deklarime kontradiktore. Arkëtarja ka deklaruar se paratë janë marrë nga ish-shefja e financës, Valbona Duni, ndërsa kjo e fundit pretendon se të gjitha paratë janë përvetësuar nga ish-drejtoresha Elisabeta Mataj. Kjo e fundit fajëson dy vartëset për mungesën e fondeve. Prokurori bëri me dije se hetimet janë shtrirë edhe në aktivitetin e Elizabeta Matajt, jashtë orarit të punës. Ajo rezulton se ka frekuentuar disa kazino në Tiranë gjatë muajve prill dhe maj, duke ngritur dyshime se paratë e vjedhura i ka lënë në bixhoz. Ndërsa avokati i kundërshtoi provat dhe masën e sigurisë.
Ndërkohë që dosjes i është bashkëngjitur edhe një kallëzim i ri penal. Fetah Mataj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Filialit të Postës Durrës, Elisabeta Mataj, e cila ndodhet në burg, ka kallëzuar ish-shefen e Financës së postës Valbona Duni, edhe kjo me masë sigurie arrest shtëpie. Në kallëzim e së hënës Fetah Mataj pretendon se bashkëshortja e tij nuk është përgjegjëse për skandalin financiar në Postën e Durrësit, ndërsa sipas tij, duhet të hetohet edhe ndaj Valbona Dunit, e cila sipas tij ka krijuar një pasuri të konsiderueshme dhe nuk e justifikon me një rrogë mujore 60 mijë lekëshe. Ai kërkon që të hetohet burimi i kësaj pasurie, si dhe aktiviteti ekonomik i familjarëve të saj.
Feta Mataj shprehet se bashkëshortja e tij, Elisabeta Mataj, e cila ndodhet në burg pas hetimeve për skandalin në Postën e Durrësit, i kishte raportur më herët problematikat në sektorin e financës dhe për shqetësime që, sipas tij, nuk ishin marrë në konsideratë nga drejtuesit. Elisabeta Mataj, që përveç drejtimit të Postës, rezulton të ketë ushtruar edhe funksione të tjera në institucione publike. Sipas dokumenteve, ajo ka qenë anëtare e Bordit të Autoritetit Portual Durrës (Vendimi nr. 4), si edhe anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit (Vendimi nr. 21), ndërkohë që njëkohësisht drejtonte edhe filialin e Postës Shqiptare në qytet.
Në të njëjtën kohë, bashkëshorti i saj, Fetah Mataj, rezulton të jetë koordinator i Partisë Socialiste për zonën e Porto Romanos në Durrës. Po ashtu rezulton se ai është një person me precedent penalë. Në vitin 2009 Fetah Mataj ka qenë i dënuar si sekser i disa funksionarëve publike ndërsa në 2012, rezulton i dënuar me 5 vite për kanosje dhe gobvënie. Ndërsa në vitin 2017, banesës së tij i është vendosur një sasi e vogël eksplozivi.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente






