TIRANE - Gjykata e Tiranës, ka caktuar arrest me burg për 2 prej 7 të arrestuarve si grupi i inspektimit në repartin e Bankës së Shqipërisë ku ndodhi vjedhja e 713 milionë lekëve. Nga 17 të arrestuarit deri tani, vetëm një akuzohet dhe ka marrë përsipër se ka kryer i vetëm vjedhjen në Repartin e Emisionit të Monedhës, pjesë e Thesarit të Bankës.

Gjykata e Tiranës ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e 7 anëtarëve të grupit të inspektimit, por gjyqtarja Frida Osmani, ka caktuar arrest me burg vetëm për dy prej tyre.

Kështu togat e zeza nuk kanë dhënë të njëjtën masë sigurie për 7 inventarizuesit. Konkretisht është dhënë masa arrest me burg për Gentian Jahjan dhe Bahri Allushi, ndërsa arrest shtëpie për Ilir Deden, Medi Markun dhe Medi Mollën e Fatbardha Gurthi. Ndërkohë detyrim paraqitje është masa për Emiljano Lamcen.

Seanca ndaj tyre u zhvillua me dyer të mbyllura pas kërkesës së prokurorit Ramadan Troci. Troci i kërkoi seancë me dyer të mbyllura, pasi u shpreh se do të paraqesë një sekret shtetëror. Sipas Prokurorisë, shtatë punonjësit e BSH, nuk kanë raportuar për diferenca të parave në 8 arkat e dëmtuara, gjë që ka qenë lehtësisht e verifikueshme, por, ata kanë deklaruar se gjithçka ka qenë në rregull. Kjo ka bërë që të lejohet në këtë mënyrë të vazhdohet me vjedhjen e thesarit të Bankës Qëndrore deri më 21 korrik 2014

Shtatë të arrestuarit e fundit akuzohen për shpërdorim detyre, pasi sipas kërkesës së prokurorit Ramadan Troci që përfaqësonte akuzën në seancë, me dashje apo për shkak të kontrollit sipërfaqësor nuk kanë zbuluar megavjedhjen në Thesarin e Bankës.
 
Por séanca ka sjellë edhe fakte se sa fiktive ishte kontrolli dhe inventarizimi që kryente grupi i inspektimit.

Dy prej anëtarëve të grupit të inspektimit ishin në profesion elektricist dhe hidraulik, dhe nuk dihet ende shpjegimi i Bankës se përse kjo detyrë kaq e rëndësishme do u besohej atyre.
 
Muajin e kaluar janë arrestuar edhe 10 persona të tjerë për vjedhjen, nga të cilët 9 punonjës të bankës. Ardian Bitraj, Mimoza Bruzi, Klevis Bejta, Lavdim Cani, Dhimitër Davidhi, Lilkana Tusha, Myzejen Belba, Petrit Ramohitaj, Bashkim Xhilaga dhe drejtori i repartit ku ndodhi vjedhja Dorian Çollaku.
 
Ndërsa 16 nga 17 të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre, i vetmi i akuzuar për vjedhjen e 713 milionë lekëve është Ardian Bitraj.
 
Ky i fundit pretendon se ka vjedhur nga paratë e stokut, të cilat vijnë me koli nga fabrikat e kartëmonedhave në Zvicër në pritje të hedhjes në qarkullim, duke i zëvendësuar ato me libra. Si edhe nga paratë e dëmtuara, të cilat i nënshtrohen procedurës së asgjësimit. Shoqëria civile ka nisur grumbullimin e firmave për të kërkuar shkarkimin e guvernatorit të Bankës Ardian Fullani, për të cilin politika e dy krahëve ose ka heshtur ose e ka mbrojtur përballë këtij megaskandali.



(Video: Dhënie e vendimit për 7 punonjësit e BSH)

masa e arrestit per bsh
(Në foto: Shoqerimi në gjykatë i të shtatë punonjësve të BSH)

Avokat Gjoni: Invetarët jo të plotë se kështu i kërkoi auditi, u kontrolluan edhe nga zëvendësguvernatori
Avokati i Medi Markut, Qazim Gjoni është shprehur se ka kërkuar lirimin e klientit të tij, pasi nuk ka shpërdorim detyre për aq kohë sa inventarizimi i kolive është kryer jo i plotë, ashtu siç e kërkonte auditi.

Gjoni theksoi se inventarizuesit kanë kryer detyrën që u është caktuar, dhe invetarët janë kontrolluar nga zëvendësguvernatori, ashtu siç e kërkon ligji, duke shtuar se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me shpërdorim detyre.

“Kanë kryer inventarizimin dhe bashkë me grupin, dhe një përfaqësues i jashtëm që ka qenë auditi, i caktuar nga Banka, dhe inventarizimi është bërë me përzgjedhje, jo i plotë, dhe janë përzgjedhur ato kuti që ka caktuar auditi. Në rastin konkret ata kanë kryer inventarizimin e kutive të përzgjedhura, dhe në ato kuti të caktuara nuk ka pasur mungesa. Problemi shtrohet se Bitraj, i cili akuzohet për vjedhjen, pretendon se e ka kryer vjedhjen që nga 2012, por ky është një fakt që duhet marrë me dyshim, pasi nuk dihet se kur ka ndodhur kjo vjedhje, ku është kryer, dhe fakti që inventarizuesit kanë kryer detyrën dhe inventarët janë kontrolluar nga zëvendësguvernatori sipas ligjit, atëherë këto inventare janë gjetur të rregullta. Atëherë, nuk ka pse të përgjigjesh, sepse nuk ka shpërdorim detyre, për aq kohë sa ka qenë një inventarizim jo i plotë dhe jo për gjithçka që ndodh, dhe këto nuk kanë përgjegjësi sipas mendimit tim dhe bindja se nuk kanë shpërdoruar detyrën.” theksoi ai
 
Gjoni më tej flet edhe lidhur me të akuzuarin për  vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Bitraj, duke hedhur dyshimet se sipas tij, ai ka gënjyer në dëshminë e dhënë për të mbrojtur bashkëpunëtorët e mundshëm.
 
“Kam dyshime për dëshminë e Bitraj pasi është një person që ka shumë vite që punonte në Bankë, dhe ai pretendon se ai ka kryer vjedhjen, dhe këta besojnë gjithçka që thotë ky person i cili është i inkriminuar. Unë mendoj se ai po mbron veten dhe mundet edhe ndonjë bashkëpunëtor, por këtë nuk mund ta them me siguri për aq kohë sa nuk kam prova. Unë them me bindje se inventarizuesit nuk kanë përgjegjësi për aq sa janë burgosur.” nënvizoi avokati
 
Sa i përket kërkesës së bërë prej tij për lirimin e Madi Markut, avokati shprehet se akuza është e padrejtë pasi brenda kuadrit ligjor nuk kemi të bëjmë me shpërdorim detyre.
 
“Unë kërkova lirimin e klientit tim, pasi siç e parashikon Kodi Penal duhet të ekzistojnë disa rrethana për t’idënuar, siç është rrezikshmëria e veprës, rrezikshmëria e personit,. Dhe duke qenë se nuk ekzistojnë këto kritere sepse nuk kemi të bëjmë me rrezikshmëri të veçantë kur kemi të bëjmë me shpërdorim detyre.” tha avokat Gjoni