Vjedhja e BSH, Llalla: Deri tani
nuk e dimë ku përfunduan paratë!

Vjedhja e BSH, Llalla: Deri tani<br />nuk e dimë ku përfunduan paratë!
UASHINGTON - “Edhe pse kanë kaluar rreth 4 muaj nga skandali i vjedhjes në Thesarin e Shtetit në Bankën e Shqipërisë, Prokuroria nuk e di ende se ku kanë përfunduar 713 milionë lekët e vjedhura.” Deklarata është dhënë nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Kryeprokurori bëri të ditur se nga hetimet e deritanishme, Prokuroria nuk ka të dhëna se ku mund të kenë përfunduar paratë e vjedhura. Llalla u shpreh se hetimet për skandalin në Thesarin e Shtetit vijojnë, ndërsa shtoi se hetimet në këtë fazë janë të përqëndruara në drejtuesit e nivelit të lartë të akuzuar.

Ndërsa sa i përket rekursit të bërë nga ana e organit të akuzës për riktihimn në burg të ish-guvernatorit Ardian Fullani, Llalla thekson se kjo është bërë për të ruajtur të padëmtuara provat lidhur me këtë çështje.

“Hetimi është në proces. Prokuroria ka përfunduar hetimet për mjaft zyrtarë të nivelit të ulët, vijojnë për nivelet drejtues, dyshimet nëse janë të përfshirë, në vjedhjen e Bankës do të provohet në vijim. Nga hetimet e deritanishme nuk kemi të dhëna se ku kanë përfunduar paratë e vjedhura nga Thesari i Shtetit. Në rastin konkret prokurorët që merren me rastin vlerësuan që Guvernatori i Bankës të hetohej në burg që të mos dëmtoheshin provat.” u shpreh Prokurori i Përgjithshëm 

Llalla: Vijojnë hetimet për zyrtarët e lartë të korruptuar
I pyetur lidhur me luftën ndaj korrupsionit si dhe deklaratën e bërë nga vetë ai pak kohë më parë, se Prokuroria do të kryejë hetime ndaj zyrtarëve të lartë, rezultatet e të cilave pritet ta afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Europian, kryeprokurori, ripërsëriti të njëjtin qëndrim.

Madje Llalla shtoi se hetimet vijojnë ndaj të gjithë zyrtarëve, përfshirë vendorët, prokurorë e gjykatës të akuzuar për korrupsion. Në këtë kontekst, Llalla u shpreh se brenda një viti në gjykatë janë dërguar 5 gjykatës dhe një prokuror si dhe drejtuesit vendorë të Vlorës dhe Kamzës.

"Është fakt që Prokuroria ka pasur në hetim një numër të lartë të zyrtarëve, përfshirë të zgjedhur vendorë, prokurorë, gjykatës. Ne synojmë që me goditje ne këtij fenomeni të synojmë ta afrojmë edhe më tej Shqipërinë drejt kësaj të ardhme. Kemi pasur rezultate konkrete, kemi çuar për gjykim një numër të lartë. Rezultatet konkrete vijojnë edhe për mjaft zyrtarë të tjerë. Gjykojmë se në prizmin tonë kemi dërguar para jykatës, gjyqtarë apo prokurorë, që brenda vitit janë dërguar 5 gjyqtarë dhe një prokuror. Po ashtu janë dërguar në Gjykatë edhe krerët vendorë të Vlorës dhe Kamzës. Ndërkohë që kemi nën hetim edhe zyrtarë të BSH." tha Llalla

Llalla: SHBA dhe Shqipëria aleatë kundër ISIS
Sa i përket luftës ndaj terrorizmit dhe më konkretisht, ndaj ekstremistëve të ISIS, Llalla vlerësoi rolin e SHBA-ve, në mbështetje të vendit tonë dhe theksoi se në bashkëpunim me departamentin amerikan, vijon lufta kundër radikalëve ekstremistë. Llalla teksa e cilësoi SHBA si partnerin më të rëndësishëm për Shqipërinë, u shpreh se shteti amerikan vlerëson kontributin e dhënë nga vendi ynë.

“Ne sot në takim me zyrtarët e lartë, dhe dua të theksoj se u vlerësua mbështetja që SHBA jep për Shqipërinë, dhe ritheksoj se SHBA mbetet partneri më i rëndësishëm për ne. U diskutua edhe lufta ndaj terrorizmit ndërkombëtar, dhe qeveria amerikane vlerëson kontributin e autoriteteve shqiptare.” u shpreh Llalla

Llalla: Vijojnë hetimet për vrasjen e Santos
Shefi i organit të akuzës foli edhe për hetimet lidhur me vrasjen e bankierit Artan Santo, duke nënvizuar se hetimet vijojnë dhe se ka disa pista ku janë të përqëndruara hetimet.

“Është një çështje e ndjeshme, e ndodhur në qendër të kryeqytetit, hetimet janë intensive, po koordinohen në bashkëpunim, kemi mjaft të dhëna. Hetimet janë të gjithanshme, pistat ka gjithashtu dyshimet për versione të ndryshme për arsyen se pse është vrarë ky biznesmen.” tha Llalla

Llalla: Edhe Prokuroria dhe sygjerimet e saj për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit
Ndërsa sa i përket ligjit për policinë e shtetit dhe krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Adriatik Llalla u shpreh se ky ligj ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa shtoi se edhe dikasteri që ai drejton ka dhënë mendime lidhur me mënyrën e hartimit të tij.

“Ky ligj ndodhet në proces shqyrtimi në Kushtetuese. Prokuroria ka dhënë mendimin për menyrën e hartimit, ne kemi pasur rezervat tona për këtë Byro Hetimi por do të presim vendimin e Kushtetueses.” tha kryeprokurori

Llalla: Aksioni në Lazarat me bashkëpunimin Polici-Prokurori
Edhe superaksioni i policisë në Lazarat ishte pjesë e intervistës, ku kryeprokurori tha se aksioni është përshëndetur edhe nga ndërkombëtarët. Llala vuri në dukje se operacioni u krye në bashkëpunim mes policisë së shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjithashtu Llalla tha se njëkohësisht vijon edhe puna për gjykimin dhe dërgimin përpara togave të zeza të personave të akuzuar për trafik narkotikësh.

“Është vertetë se operacioni i ndodhur në Lazarat është në koordinim me Policinë dhe Prokurorinë dhe u përshëndet nga ndërkombëtarët. Sot janë dërguar për gjykim 18 raste, njerëz që nuk mund të thuash se nuk ka pasur të arrestuar. Janë raste të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike të cilat janë në proces hetimi. 

Intervista e plote

Shqipëria i është bashkuar koalicionit që po lufton ISIS. A ishte kjo një nga çështjet për të cilat diskutuat me zyrtarët amerikanë dhe a paraqet ky lloj krimi një rrezikshmëri –radikalizmi, për Shqipërinë?
Ne patëm takime me zyrtarë të lartë amerikanë dhe dua të theksoj faktin se gjatë këtyre takimeve u vlerësua ndjeshëm mbështetja që qeveria e Shteteve të Bashkuara jep për Shqipërinë dhe ritheksohet fakti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të jenë partneri ynë më i rëndësishëm ndërkombëtar. Gjatë këtyre takimeve, normalisht, u diskutua për tema të ndryshme, përfshirë edhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe rastin e ISIS ku duhet theksuar fakti se nga qeveria amerikane është vlerësuar kontributi i institucioneve shqiptare për goditjen e këtij fenomeni.

Zoti Llalla, në Shqipëri korrupsioni është problem, ashtu si edhe për vende të tjera të rajonit, por në Shqipëri është një prirje tepër e theksuar. Ju para disa muajsh keni premtuar se do të merrni masa dhe se po merren masa dhe hetime, suksesi i së cilave do ta afronte së tepërmi vendin me Bashkimin Evropian. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
Është fakt që Prokuroria Shqiptare gjatë vitit 2014 ka pasur në hetim dhe vijon të ketë procese hetimi për një numër të madh zyrtarësh të niveleve të ndryshme, përfshirë të zgjedhur vendorë, prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të niveleve të tjera të larta për të cilët proceset e hetimit janë ende në vijim. Ne synojmë që me goditjen e këtij fenomeni, i cili pengon vërtetë të ardhmen evropiane të vendit, të afrojmë edhe më tej Shqipërinë drejt kësaj të ardhmeje..

Megjithatë, në rajon janë bërë arrestime të zyrtarëve të lartë të këtyre vendeve. Kam parasysh rastin e Kroacisë apo edhe vende të tjera të rajonit. Ndërsa në Shqipëri kryesisht janë dërguar para drejtësisë punonjës jo të nivelit të lartë. Si e shpjegoni ju këtë fakt?
Varet se si do të shihet. Gjykojmë se në prizmin tonë ne kemi dërguar përpara gjykatës, ashtu siç nuk ka ndodhur në të gjitha vendet e tjera të rajonit, gjyqtarë apo prokurorë, që rasti i parë është Shqipëria që brenda vitit janë dërguar para gjykatave pesë gjyqtarë dhe një prokuror të akuzuar për veprën penale të korrupsionit, po ashtu të zgjedhur vendorë të bashkive kryesore të vendit, përfshirë bashkinë e Vlorës, bashkinë e Kamzës apo disa bashki të tjera – zyrtarë të nivelit të cilët rivalizohen me pozicione të ministrave, apo më tej, ndërkohë kemi në proces hetimi zyrtarë të nivelit të lartë të Bankës së Shqipërisë.

Meqë përmendët rastin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa ju keni kërkuar zgjerimin e hetimeve, a bëhet fjalë këtu për çarje në sistemin e sigurisë së Bankës, apo ka problem më madhore?
Eshtë një hetim i cili është në proces. Prokuroria ka përfunduar hetimet për mjaft zyrtarë të nivelit të ulët të kësaj banke, të cilët janë tashmë në process gjykimi. Hetimet vazhdojnë për zyrtarë të nivelit drejtues të Bankës. Dyshimet nëse ata janë apo jo të përfshirë drejtpërdrejt në vjedhjen e realizuar në Bankën e Shqipërisë, apo në mospërmbushjen në mënyrë korrekte të detyrës së tyre do të provohen në vijim, gjatë hetimeve të këtij rasti.

A dihet fati i kësaj shume të madhe, për të cilën është thënë se është përdorur në lojra fati? Ku është hetimi në këtë pistë?
Nga hetimet e deritanishme nuk kemi një të dhënë konkrete për mënyrën se si dhe vendin se ku kanë përfunduar këto para.

Përse kaluat në vendimin e arrestimit të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa pritet një përgjigje nga Gjykata e Apelit? Përse ju keni insistuar se ai duhet të rikthehet në burg?
Në rastin konkret, prokurorët që merren drejtpërdrejt me rastin, vlerësuan që guvernatori i Bankës, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj Banke, të hetoheshin nën masën e sigurisë arrest në burg me qëllim që të mos dëmtoheshin provat që ishin në proces hetimi. Vendimi, kërkesa e prokurorëve është mbështetur nga dy shkallë të gjykimit dhe tashmë rekursi është paraqitur nga ana e prokurorisë; ai është në pritje në Gjykatën e Lartë, ashtu siç është edhe rekursi nga ana e mbrojtjes.

Disa muaj më parë ndodhi vrasja e bujshme, shumë e shëmtuar e bankierit Artan Santo. Cfarë është bërë lidhur me hetimet?
Eshtë një çështje tepër e ndjeshme për opinionin publik shqiptar rasti i vrasjes së këtij bankieri në qendër të kryeqytetit të vendit.Hetimet për rastin janë intensive, po kryhen në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e tjera me të cilat ne koordinojmë punën tonë, me policinë e shtetit, shërbimin informative shtetëror e të tjera. Kemi mjaft të dhëna në process hetimi.

Mbi çfarë pistash po zhvillohen hetimet?
Hetimet janë të gjithanshme, pistat gjithashtu. Ka dyshime të ndryshme për mënyrën dhe qëllimin se si u vra ky biznesmen, përgjigje të cilat normalisht do të jepen në vazhdim të procesit.

Një pyetje lidhur me ligjin e ri për policinë, i cili përfshin edhe krijimin e Byrosë së Hetimeve. Eshtë folur shumë se kjo agjenci e re, nëse krijohet, do të ishte një dublim i punës së Prokurorisë së Përgjithshme. Cili është komenti juaj?
Ky ligj tashmë ndodhet në proces shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese. Prokuroria shqiptare ka dhënë mendimin e saj për mënyrën e ndërtimit dhe hartimit të këtij ligji. Ne kemi patur rezervat tona për krijimin e kësaj byroje hetimi. Megjithatë, presim versionin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Në varësi të këtij vendimi, ne do të jemi të detyruar të zbatojmë vendimet e ligjvënësve shqiptarë dhe të Gjykatës Kushtetuese.

Një çështje lidhur me Lazaratin. Atje u zhvillua një aksion i madh, që u mirëprit në luftën kundër trafikut të drogës. Ndërkohë, janë arrestuar persona të niveleve të ulta të këtij grupi, fshatarë që janë marrë me mbjelljen e bimëve narkotike, ndërkohë që mes peshqve të mëdhenj, organizatorëve të trafikimit të drogës në Shqipëri, nuk ka patur arrestime. Cfarë po bëhet në këtë drejtim?
E vërtetë. Operacioni në Lazarat, ku pati një koordinim të mirë mes policisë së shtetit, prokurorisë së krimeve të rënda si dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, u përshëndet nga faktorët vendas dhe ndërkombëtarë dhe u shoqërua edhe me rezultate konkrete. Kanë qenë me dhjetra raste, të cilat tashmë janë në proces hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor. Janë dërguar për gjykim rreth 18 raste të shtetasve të arrestuar për këtë vepër penale.
 
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë