TIRANE- Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka përfunduar hetimin administrativ për vjedhjen e armatimeve në depon e bazës së Pashalimanit, ndërsa ka dalë në përfundimin se përgjegjës për ngjarjen është i gjithë zinxhiri komandues i Forcës Detare duke filluar nga komandanti i Forcës Detare Ylber Dogjani. Lajmi konfirmohet për Report Tv nga burime pranë Shtabit të Përgjithshëm të FA-së. Hetimi i drejtuar nga Shtabi i Përgjithshëm i FA-së ngarkon me përgjegjësi të gjithë linjën e drejtim komandimit në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit.

Në bazë të hetimit, përgjegjësia për masat e sigurisë në bazën detare, i ngarkohet komandantit të Forcës Detare Ylber Dogjani, komandantit të bazës dhe të gjithë linjës së komandimit. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm shkarkoi nga detyra 15 ushtarakë përgjegjës në drejtim-komandimin dhe cështjet e sigurisë e ruajtjes në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit. Ministrja e Mbrojtjes nisur nga rezultatet e hetimit administrativ i ka propozuar gjithashtu Presidentit të Republikës, shkarkimin e komandantit të Forcës Detare, Gjeneralmajor, Ylber Dogjani.

Vjedhja e armëve në Pashaliman ndodhi në datë 11 janar të këtij viti, ndërsa të arrestuar janë katër persona, 2 roje dhe 2 përgjegjës me akuzën 'shpërdorim detyre' dhe 'dëmtim të aseteve ushtarake'. Ushtarakët që janë arrestuar për ngjarjen, konkretisht janë; Lesko Ramosaçaj 52 vjeç e Edlir Nelaj 42 vjeç përgjegjës, Ervis Memsulaj 23 vjeç dhe Ardit Ramaj 25 vjeç roje. Report Tv zbardhi dosjen e plotë dhe kronologjinë e vjedhjes së armatimeve (lexo ketu).

Lista e armatimeve të vjedhura në bazën e Pashalimanit;
2 arme luftarake automatike model 56 me bajonet shtize
700 fisheke luftarake 7.62m qe perdoren nga arme luftarake pistolete TT model 54
3691 fishekë luftarakë qe perdoren nga armet luftarake automatik blindshpues djeges
40 granata dore luftarake
40 ndezesa per granata dore luftarake
1 kreher hark automatik luftarak
1 pushke M-4 karabine luftarake model 14.5 me barrel 5x56x45mm
1000 fisheke luftarake model 5.56mm x 45mm me maje te rrubullaket normal
4 krehera rezerve per 30 fisheke luftarake 5.56mm\