Plot 11 kompani kineze janë përdorur si karem për të feshuhur një vjedhje prej 5.4 milion euro që është tërhequr nga buxheti i shtetit. Dy biznesmenë Gjergji Tupe dhe Mirjan Beneja, kanë arritur që nëpërmjet prokurave të falcifikuara të riaktivizojnë statusin në QKR të 11 kompanive kineze që deri në vitin 2005 kanë ushtruar aktivitet tregtar në Shqipëri. Kompanitë, emrat e të cilave Shqiptarja.com i disponon të plota, kanë qënë të falimentuara, por Gjergji Tupe dhe Mirjan Beneja, në bashkëpunim edhe me drejtuesit e Tatimeve në Tiranë, kanë kryer veprime juridike në QKR dhe më pas statusi i kompanisë është bërë aktiv.
Sipas burimeve të njësisë hetimore Task-Forcë, pranë prokurorisë së Tiranës, këto kompani importonin artikuj të ndryshëm, duke filluar nga veshëmbathjet e deri tek ato ushqimore. Ndërkohë që kishte dhe kompani të tjera që eksportonin mallra në nga Shqipëria në Kinë. Gjatë hetimeve prokuroria ka provuar se Gjergji Tupe dhe Mirjan Beneja, kanë blerë tek shtetasit kineze aksionit e këtyre kompanive, ku Tupe ka blerë 6 kompani dhe Beneja 5 të tjera.
Një blerje e tillë ka qënë fiktive, pasi pronarët kinezë të këtyre kompanive në kohën e blerjes, pra në muajin Gusht 2013 nuk kanë qënë fare në Shqipëri. Këto kompani kanë pasur TVSH të pa rimbulsueshme dhe se të gjitha veprimet për të marrë sasinë e lekëve, u kryen në kohë rekord nga 9 të akuzuar e prokurorisë, mes të cilëve 7 punonjës të tatimeve.
Vjedhje në 5 muaj
Menjëhere pas blerjes së këtyre shoqërive, përfaqësuesit e rinj të tyre, Beneja dhe Tupe kanë bërë kërkesë për likujdimin e shoqërive pranë administratës tatimore Tiranë. Më pas, në përfundim të procedurave të likujdimit, sapo shoqëritë kanë marrë rimbursimin e TVSH-së kreditore të mbartur ndër vite nga shoqëritë në vlera të mëdha, kanë kërkuar ç’regjistrimin në organin tatimor rajonal si dhe shpalljen e falimentit pranë QKR.
Të gjitha veprimet kanë ndodhur brenda periudhës Qershor– Tetor 2013 dhe bazuar në kërkesën për ç’regjistrim, organi tatimor rajonal ka kryer veprimet e likujdimit të detyrimeve dypalëshe, si rezultat i të cilave është dhënë edhe rimbursimi i TVSH-së si detyrim i organit tatimor ndaj shoqërive, duke shkelur procedurat ligjore dhe si rezultat i këtyre veprimeve, administratës tatimore i është shkaktuar një dëm prej 515,455,275 lekë të reja.
Të gjitha këto janë cilësuar si veprime kriminale nga ana e prokurorisë dhe se për këtë kanë bashkëpunuar dhe shtetasit Afërdita Hysa, ish-drejtore e Kontrollit Tatimor dhe Tahir Kuka, ish-inspektor i Procedurave të Rimbursimeve, të dy tashmë të arrestuar. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim Ismail Muça, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, Lauren Vata ish-përgjegjës i Sektorit të Kontrollit Tatimor, Edmond Osmani, Gramos Milushi, Kujtim Metaliaj, që të tre ish-inspektore të Kontrollit Tatimor, si edhe biznesmenët Mirjan Beneja, dhe Gjergji Tupe.
Kompanitë kineze
- “Sheng Da Ana”
- “Ventura”
- “Nam Këong”
- “Lumturia”
- “F M Import-Eksport”
- “Hong De”
- “Tong Da Horizonti”
- “Be-Ni-Sa”
- “Asterix”
- Tai-ping-Yong”
- “Tirana HQ Import-Eksport”
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)