Rastet e vjedhjeve nga persona të maskuar si efektië të policisë duket se janë kthyer në modë. Këtë herë, gjashtë persona kanë tentuar të vjedhin tre ditë më parë banesën e 59 vjeçarit K.M., në fashtin Nivicë të Tepelenës.

Por, plani i tyre ka mbetur vetëm ‘në letër’, pasi ‘policët’ janë pikasur nga i zoti i shtëpisë dhe janë larguar.

Në largim e sipër, autorët braktisën një prej automjeteve me të cilin kishin udhëtuar deri në banesën e 59 vjeçarit në oborrin e banesës së tij, ndërsa automjetin tjetër e braktisë në aksin Gusmar-Kuç. 

Sipas njoftimit të policisë, të dy automjetet rezultojnë të vjedhur. Automjeti tip “Benz” që u gjet në oborrin e K.M. rezulton se është në pronësi të 43 vjeçarit E.V., banues në Lushnjë.

Ky automjet, sipas policisë, rezulton se është vjedhur në këtë qytet, më 28 shkurt të këtij viti.

Ndërsa, automjeti tjetër rezulton se është në pronësi të 59 vjeçarit XH.H., banues në Patos. Ky atomjet, sipas policisë, është vjedhur në Vlorë, më datë 4 të këtij muaji.

Të dy automjetet u bllokuan në cilësinë e provës materiale, ndërsa autorët janë ende në kërkim.

Redaksia online
Shqiptarja.com