Bëhët fjalë për një dosje voluminoze që shkon diku tek 380 ose 400 faqe, në të cilat prokuroria e Leçes, ka pasqyruar të gjithë hetimin e saj, lidhur me anëtarët dhe drejtuesit e kartelit të drogës, që drejtohej nga vllezërit Habilaj në Vlorë.
Dosja e mbëritur nga Leçe është studjuar me imtësi përgjatë gjithë natës së djeshme dhe se pritet që ditën e sotme ajo të jetë pjesë e diskutimeve të forta në mbledhjen e Komisionit të Imuniteteve në Kuvend. Prokurorët e Krimeve të Rënda nuk bëjnë asnjë koment rreth asaj që ka brenda kësaj dosje, por shtojnë se në ditët në vijim, mund të ketë dhe arrestime të zyrtarëve brenda rradhëve të policisë së Shtetit dhe Policisë së Vlorës.
Emra policësh e zyrtarë në dosje
Materiali i mbëritur nga prokuroria e antimafias së Leçes tregon se Habilajt kanë pasur një zgjerim të biznesit të tyre të paligjshëm, për sa i përket trafikut të drogës.
Gjithmonë sipas burimeve, në këtë material shumë konfidencial, janë përmendur dhe janë kapur në përgjime efektivë të ndryshëm të policisë së Vlorës, të cilët kundrejt shumave dhe vlerave monetare janë implikuar me këtë grup kriminal, duke lënë sasitë e drogës të transportohen qetësisht drejt brigjeve Shqiptare.
Ndërkohë për sa i përket prezencës së emrit të ish-ministrit Saimir Tahiri në këtë material apo të ndonjë emri të tjetër ministri të qeverisë “Rama 2”, prokurorët nuk pranojnë të japin sqarim. Ata shprehen se ky material voluminoz do i vihet në dispozicion dhe anëtarëve të komisionit të verifikimit të mandateve.
Prokurorët thonë për “Shqiptarja.com” se që në fillim të mbledhjes do kërkojnë sërisht zhvillimin e seancës me dyert të mbyllura, për shkak të problematikës dhe të dhënave sensitive që përmban kjo dosje hetimore.
Policia: Kapëm Nezar Seiti
Në vijim të operacionit antidrogë ku në fshatin Babicë u sekuestruan rreth 4 ton lëndë narkotike “Cannabis Sativa”, u arrestua pronari i banesës dhe u shoqëruan dy shtetas të tjerë ju informojme se: Policia e Vlorës, në zbatim të Urdhërit të ndalimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka ndaluar edhe një tjetër shtetas si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të operacionit dhe të hetimeve rezultoi si i implikuar në këtë veprimtari kriminale edhe shtetasi Nezar Seiti,40 vjeç, banues në fshatin Gjorm, Vlorë.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com









