TIRANË - Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka marrë pjesë sot, në konferencën Rajonale për Projektin e Bankes Botërore “Zhvillimi i kapaciteteve monitoruese dhe vlerësuese për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, i financuar nga Komisioni Europian përmes instrumentit IPA. Kjo konferencë, u zhvillua në Vjenë të Austrisë.
 
Qëllimi i këtij projekti, është forcimi i kapaciteteve monitoruese dhe hartimi i treguesve të performancës, për strategjitë përkatëse në sektorë kyç, ku Komisioni Europian do të zbatojë qasje me bazë sektorësh për financimet e IPA-s kombëtare.
 
Sektorët e përzgjedhur janë pothuaj të njëjtë në të gjithë vendet e Ballkanit: Administrata Publike, Drejtësi, Zhvillimi Rural&Bujqësia, Punësimi. Ky projekt është mjaft i rëndësishëm pasi konsolidon monitorimin mbi bazë rezultatesh të strategjive të zbatuara nga ministritë e linjës. Strategjitë që janë hartuar dhe buxhetuar nga ministritë e linjës, së bashku me kuadrin monitorues, përbëjnë parakushtet themelore për financimin nga KE përmes IPA 2014 - 2020.
 
Ministrja e Integrimit Evropian, u bë pjesë e panelit të diskutimeve “Për Matjen e performancës nëpërmjet monitorimit dhe vlerësimit”. Pjesëmarrës në këtë panel ishin Ministra dhe përfaqësues të institucioneve nga të gjitha vendet e Ballkanit.
 
Si drejtuese e Ministrisë së Integrimit Evropian, e cila është Koordinatorja Kombëtare për Shqipërinë,Ministrja Gjosha theksoi se ndërtimi i kapaciteteve mes matjeve të indikatorëve të performancës është shumë i rëndësishëm pasi mundëson krijimin e një mënyrë efikase në përdorimin e këtyre indikatorëve. Ajo u ndal edhe tek qasja e re e qeverisë në lidhje me projektet që financohen nga Bashkimi Evropian.
 
Ministrja theksoi se Shqipëria dhe vendet e tjera përfituese të rajonit janë të angazhuar të punojnë për hartimin e dokumenteve strategjike dhe teknike me qëllim adresimin sa më të mirë të fondeve të Instrumentit të ri Financiar për Asistencën e Para-aderimit (IPA II) në kuadrin e perspektivës së re financiare 2014-2020. Risia e këtij instrumenti të ri, sipas Ministres është fokusi në programimin e projekteve me bazë sektoriale duke marrë parasysh zbatimin e prioriteteve dhe strategjive afat-mesme dhe afat-gjata dhe sigurimin e buxhetit përkatës.
 
“Matja e indikatorëve vlerësues, ndihmon qeveritë për monitoruar progresin në implementimin e reformave sektoriale. Shqipëria e sheh me mjaft vlerë këtë takim, ku ne mund të diskutojmë dhe të shkëmbejmë eksperienca dhe të zgjerojmë më tej dialogun mes shteteve tona duke cilësuar performancën si bazën e politikbërjes”, u shpreh Ministrja Gjosha.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)