TIRANE- Ardhja e pranverës përbën një arsye shqetësi mi për ata të cilët vuajnë nga alergjitë sezonale. Megjithatë marrja e disa masave parandaluese mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të simptomave. Alergjitë e pranverës manifestohen në forma të ndryshme, ku riniti (rrufa) alergjik sezonal është më i shpeshti. Pavarësisht se në disa raste këtyre çrregullimeve nuk u jepet rëndësi dhe mund të kalojnë pa u vënë re, herë të tjera shenja të tilla si bllokimi i hundëve, lotimi, kruarja e hundës, kolla apo vështirësia për të marrë frymë mund të kushtëzojnë jetën e një alergjiku.
Kur shfaqet dhe pse
Në përgjithësi, alergjitë në formën e rinitit alergjik shfaqen zakonisht në fëmijëri dhe adoleshencë, por mund të bëhen të dukshme në çdo moment të jetës, si tek meshkujt ashtu dhe tek femrat, edhe nëse nuk kanë patur kurrë alergji. Çdo gjë varet nga ndjeshmëria individuale dhe nga ekspozimi ndaj agjentit që shkakton alergji. Bëhet fjalë për një patologji që mund të trashëgohet. Përllogaritet se 70% e fëmijëve nga prindër alergjikë kanë prirje më të madhe për të vuajtur nga alergjia.
Si të identifikojmë alergenin
Alergeni përfaqëson shkakun e alergjisë. Nëse jemi para një shpërthimi alergjik që provokon simptoma duhet kontaktuar me mjekun specialist, alergologun. Gjatë bisedës me të duhet shpjeguar se kur shfaqen simptomat, cilat janë dhe në çfarë rrethanash shfaqen me intensitet më të madh. Mjeku specialist kryen një test që konsiston në futjen e ekstrakteve të ndryshme nën lëkurë me qëllim identifikimin e alergenit ose alergenëve. Më pas, mund të lindë nevoja për kryerjen e analizave laboratorike specifike. Së fundi, pas identifikimit të alergenit shkaktar të alergjisë, mjeku specialist jep trajtimin e duhur, të shoqëruar me këshilla parandaluese.

Ja dy fakte interesante mbi alergjinë
1.Injektimet e rregullta mund të ulin simptomat
Pavarësisht se nuk ekziston një kurë përfundimtare për alergjinë, injektimet periodike (të njohura ndryshe si imunoterapia), përfaqësojnë gjënë më të afërt me të. Në rast se ju vuani nga alergji të forta ose reaksione nga disa alergenë, mund të merrni përfitime terapeutike nga imunoterapia. Për këtë, duhet të konsultoheni me mjekun specialist.
2.Shiu “shplan” polenin
Ditët më të mira për ata që vuajnë nga alergjia janë ato kur ka rënë një shi i fortë. Nivelet e polenit mund të ndikohen nga temperatura, momenti i ditës, lagështia dhe shiu. Vlerat e polenit në ajër ulen gjatë ditëve të freskëta. Këto vlera kanë prirje të jenë më të larta nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 4 pasdite, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta, të thata dhe me erë.
(sg/shqiptarja.com)