“Kjo është si të analizosh një pikë uji nga një gotë e madhe me ujë siç ishte e gjithë vizita e Ramës dhe aktiviteti në Vjenë. Fakti që Akademia Diplomatike në Vjenë dha një deklaratë se aktiviteti u zhvillua paqësisht dhe ne nuk dimë çfarë ka ndodhur është fakti më i mirë. Kjo Akademi nuk është prodhim i rastësisë, ajo është krijuar që në 1754. Nuk është krijuar për të marrë ca lekë, ajo është më e vjetra në botë. Ata nuk panë ekses, si mund të sqarohet që nuk kishte ekses. Më vjen keq sepse kam zhvilluar aktivitete në Bruksel, e shumë qytete të tjera të botës, por të degjenerojë një aktivitet i nivelit të lartë në këtë mënyrë ju qofshi”- thotë Fate Velaj gjatë intervistës telefonike për gazetarin Andi Kapxhiu për TVA1 REPORT!.
Në të gjithë fjalën e tij Fate Velaj shpreh hapur indinjatën dhe keqardhjen me mënyrën si po interpretohet nga ministria e Jashtme dhe mazhoranca një bashkëbisedim që ai e quan "jashtë kontureve të dialogut dhe jo një keqtrajtim shtazarak". Madje shton se po kërkohet të zbehet vizita e suksesshme që Rama pati në Vjenë.
“Në orën 12:00 kishte një drekë pune me Zannier, në 15:00 një takim me Presidentin e Repuiblikës të Austrisë i cili nga 30 minuta zgjati 60 minuta, më pas me ministrin e Punës dhe ministrin e Financave. Në aktivitetin tek Akademia Diplomatike ishin drejtorë të Akademisë Diplomatike të Austrisë, që është më e vjetra në botë, përshëndetën personalitete të larta dhe e gjithë kjo të kalohet mënjanë dhe të merret, me një që është incident është më absurdja. Nuk mundet që gjithë këtë angazhim të Ramës në Vjenë të kalohet tek i ashtuquajturi incident. Për mendimin tim nuk ka qenë incident por bashkëbisedim jashtë kontureve të dialogut, asnjë nuk mban përgjegjësi për çfarë ndodhi pas dialogut që ishte dy orë" - tha Fate Velaj.
FATE VELAJ: ISHTE DEBAT I PROVOKUAR NGA EGIN CEKA, JO INCIDENT
Ai sqaron se vetë Egin Ceka kishte provokuar debatin.
"Nuk mund ta lejoja Edi Ramën që të fliste keq për popullin tim. Ai tha gjërat që çdo ditë i thonë në debate politikanët shqiptarë. Zoti Ceka e kishte shansin e madh, nëse ndihej i ofenduar në emër të diplomacisë, të diskutonte e të thoshte nuk jam dakord. Në momentin kur thashë faleminderit dhe kur njerëzit po prisnin të falenderonin e të dilnin në fotografi me Edi Ramën, vjen Ceka, e kap në cep dhe i thotë: "Ça keni me mua, çfarë keni që komentoni për mua në deklarata e intervista, dhe me fjalë ofenduese, që e dëgjova unë e dëgjuan dhe të tjerët. Çdo gjë ka qenë debat dhe jo u maltratua në mënyrë shtazarake” - sqaron Fate Velaj
FATE VELAJ:ZNJ.HARXHI PSE S'U PËRFAQËSUA QEVERIA SHQIPTARE NË AKTIVITET?
Organizatori i aktivitetit kritikon dhe Edit Harxhin, zv minitren e Jashtme për qëndrimin publik të mbajtur dje ndërsa ngre pyetje pse asnjë nga përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare nuk ishin të pranishëm në këtë aktivitet.
”E dëgjova zonjë Harxhi, apo nuk e di si e ka, por dua ti bëj një pyetje: Si është e mundur që Ministria e Jashtme nuk përfaqësohet në një aktivitet të cilin titullin e ka “Shqipëria konstrukton të ardhmen" ? Si është e mundur që Ministria e Jashtme e Austrisë vjen me diplomatë, vijnë nga Ambasada e Kosovës dhe përfaqësues të ambasadës së Bullgarisë dhe nga Shqipëria që ka dy ambasada, një i Vjenës dhe OSBE nuk ka asnjë përfaqësues? Për mua pak rëndësi ka nëse ishte Edi Rama, Sali Berisha apo Topalli, përfaqësia këtu quhet përfaqësi e Ambasadës Shqiptare dhe jo përfaqësia e ambasadës PD."
Redaksia Online
(s.g./shqiptarja.com)