Situata në lumin Vjosë paraqitet kritike, pasi niveli i ujit ka arritur në 8.6 metra, duke sjellë evakuimin e 13 familjeve në zonat e rrezikuara të qarkut Vlorë. Autoritetet vendore dhe strukturat e policisë janë në terren dhe po monitorojnë nga afër zhvillimet.

Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, deklaroi se prurjet janë në pikën më të lartë dhe se orët në vijim do të jenë vendimtare.

“Situata aktualisht është në pikë kritike sepse prurjet janë në nivelin 8.6 metra. Në orët në vazhdim presim një ulje të sasisë së ujit, duke qenë se pjesa e jugut që sjell këto prurje është stabilizuar dhe kjo do të pasqyrohet në harkun kohor të 12 orëve”, tha Mersini.

Ajo shtoi se janë identifikuar edhe familje të tjera në zonë rreziku, të cilat mund të evakuohen nëse niveli i ujit rritet më tej.

“Në një zonë risku kemi 6 familje që, në rast se do të kalohet kjo pikë prej 8.6 metrash, do të evakuohen. Deri më tani janë 13 familje që kanë qenë të gatshme të largohen nga zona e rrezikuar”, u shpreh kryebashkiakja.

Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Elidon Çela, tha se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.

“Strukturat e policisë janë të gjitha në gatishmëri. Kemi vënë në dispozicion të gjitha mjetet me kalueshmëri të lartë dhe, në rast nevoje për evakuim, policia dhe emergjencat civile do të ndërhyjnë kudo të jetë nevoja”, deklaroi Çela.

Sipas autoriteteve, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shpresohet që ulja e prurjeve nga zona e Memaliajt të sjellë përmirësim gradual të gjendjes në 12 orët e ardhshme.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati në Mifol, niveli arrin në 9 m! Aksi Qukës-Qafë Plloçë bllokohet plotësisht nga rrëshqitja e dherave! Përmbytje në Pogradec e Obot