Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako dhe prefektja e Vlorës Evis Allushi ndodhen në terren teksa lumi Vjosa ndodhet në pikën më kritike teksa shtëpi e toka bujqësore tashmë janë përmbytur.
Haki Çako bën me dije se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë ndërsa që prej ditës së djeshme janë bërë njoftimet e nevojshme për banorët e rrezikuar nga përmbytjet me qëllim evakuimin e tyre dhe të kafshëve.
“Situata është kritike pasi vërshimet janë të konsiderueshme dhe nivelet e Vjosës kanë kapur limitet maksimale. Jemi në krye të detyrës. Po organizojmë dhe një takim të Komisionit të Mbrojtjes Civile së bashku me të gjitha strukturat që janë në gatishmëri. Prioritet absolut është jeta dhe normaliteti i qytetarëve dhe kërkoj mirëkuptimin e tyre në rast evakuimi për të mos krijuar vështirësi të mëtejshme.
Kanë filluar njoftimet (për evakuimin e kafshëve), janë bërë që dje, pasi ka 24 orë që ka vijuar rritja e nivelit të Vjosës jemi në monitorim dhe bashkëpunim me kryepleqtë dhe komunitetin”, tha Haki Çako.
Ashtu si dhe Çako, prefektja Evis Allushi shprehet se prioriteti kryesor është jeta e qytetarëve ndërsa është e nevojshme evakuimi i tyre nga zonat e rrezikuara.
“Situata jemi duke e monitoruar. Do të mbledhim dhe Komisionin e Mbrojtjes Civile. Në këto momente gjëja më e rëndësishme është jeta e njerëzve. Lajmërimet i kemi bërë që ditën e djeshme, sidomos për ata banorë që rrezikojnë më shumë nga situata”, tha prefektja.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Viktima e parë, 54-vjeçari humb jetën në Durrës! Evakuime në Katund të Ri, Sukth dhe 3 fshatra të Fierit e Vlorës (VIDEO)











