Presidenca e Kosovës ka reaguar pasi një foto e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale, ka nisur të qarkullojë në rrjetet sociale, duke paraqitur në mënyrë të rreme Presidenten Vjosa Osmani krah kryeparlamentares serbe Ana Brnabiç.

Në reagimin zyrtar thuhet se fotoja është plotësisht e rreme, një montazh me qëllim të qartë për të dëmtuar figurën e Presidentes dhe për të ushqyer narrativat e fabrikuara që i shërbejnë agjendave të huaja.

Presidenca e cilëson këtë veprim si të ulët, të rrezikshëm dhe pjesë të një fushate të organizuar dezinformuese që synon të dëmtojë udhëheqjen e vendit dhe të minojë stabilitetin institucional.

Presidenca u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa ndaj përhapësve të kësaj dezinformate, duke paralajmëruar se veprime të tilla cenojnë sigurinë publike dhe përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për institucionet e vendit.

Postimi i plotë

 

Reagim ndaj një fotografie të manipuluar (fake)

Një fotografi e manipuluar dhe e krijuar përmes mjeteve të inteligjencës artificiale po qarkullon në rrjete sociale, me qëllim të vetëm,  denigrimin e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe ushqimin e narrativave të fabrikuara që u shërbejnë agjendave të huaja.

Kjo pamje është FAKE, një montazh i ndërtuar që të krijojë konfuzion dhe ta dëmtojë figurën e Presidentes Osmani, e cila çdo ditë, me seriozitet, përkushtim dhe integritet institucional,  mbron interesat e Kosovës dhe përfaqëson shtetin tonë me dinjitet në arenën ndërkombëtare.

Përdorimi i materialeve të rreme për ta goditur Presidenten është jo vetëm i ulët, por edhe i rrezikshëm. Këto tentime për përhapje të dezinformatave nuk janë të rastësishme dhe  janë pjesë e një fushate të mirë-organizuar që synon të baltosë Presidenten e Republikës.

Presidentja Osmani ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm i shtetësisë, sovranitetit dhe dinjitetit të Kosovës dhe asnjë foto e rreme nuk mund ta zbehë këtë.

U bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj këtyre dezinformatave, të cilat jo vetëm cenojnë sigurinë publike, por përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për institucionet dhe për stabilitetin e vendit. Përhapja e dezinformatave të tilla duhet të trajtohet me seriozitet maksimal.