Jo vetëm Forcat e Armatosura! Edhe autoritetet e tjera shtetërore të mbrojtjes dhe sigurisë në vend siç mund të jetë policia apo garda do të pajisen me armë, veshje apo mjete të sigurisë vetëm përmes shoqërisë Kayo, apo subjekteve të krijuara prej saj.
Vendimi i Këshilli të Ministrave, i firmosur nga kryeministri Edi Rama këtë 5 nëntor i hap rrugë autorizimit të KAYO-s për të qenë ajo e vetmja furnizuese me produkte apo shërbime të fushës së sigurisë.
"“KAYO”, ose subjektet e tjera të krijuara prej saj, të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve dhe mjeteve, të prodhuara apo të përshtatura në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo shërbime për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë, organet e varësisë së strukturave të sigurisë apo shoqërive aksionare shtetërore të krijuara nga këto struktura sigurie",- thuhet në VKM.
Vetëm në rast se KAYO apo shoqëritë me të cilat ajo bashkëpunon, nuk sigurojnë dot furnizimin, atëherë, autoritetet e tjera të sigurisë hapin procedurat e prokurimit për armë, veshje apo mjete.
"Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., shprehet se nuk mund të furnizojë autoritetet kërkuese, në përputhje me specifikimet teknike apo projektin e parashturar, autoritetet kërkuese vijojnë me realizimin e prokurimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik ose prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë",- thuhet në VKM.
Në gusht të këtij viti ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bëri të ditur se i është hapur rrugë themelimit të tri sipërmarrjeve të reja ku shteti është aksionar në prodhimin e mjeteve të blinduara dhe mjeteve të emergjencave civile, uniformave dhe pajimeve personale, municioneve”, theksoi ai.
Ndërkohë, që sipas tij, po vijojnë negociatat për prodhimin e armatimit të lehtë, si dhe asemblimin e sistemeve të artilerisë, predhave dhe dronëve luftarakë.
Për prodhimin e uniformave ushtarake tashmë është krijuar shoqëria ‘Guna Tactical’, me 51% të aksioneve KAYO-N, e cila krahas mbulimit të veshjeve të autoriteteve të mbrojtjes dhe sigurisë brenda vendit, edhe do të eksportojë. Ndërsa për prodhimin e mjeteve të blinduara të sigurisë KAYO do të bashkëpunojë me kompaninë shqiptare TIMAK të Arjeta Puçës.
Komente










