TIRANË- Në vazhdë të marrëveshjes së nënshkruar me Italinë për strehimin e emigrantëve në kampin e Gjadrit, Këshilli i Ministrave ka miratuar sot, 19 qershor, ngritjen e një Task Force për zbatimin e protokollit. Kjo Task Forcë, ka për qëllim koordinimin, ndjekjen dhe mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes.
Në krye të Task Forcës do të jetë zëvendësministri i Brendshëm, përgjegjës për çështjet e migracionit, dhe 9 anëtarë të tjerë si më poshtë.
Task-Forca ka për detyrë të përgatisë një plan veprimi për zbatimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë. Ajo përcakton përgjegjësitë e institucioneve, trajton çështjet që lindin gjatë zbatimit të marrëveshjes, siguron burimet e nevojshme për strukturat e përfshira dhe bashkëpunon me Ambasadën Italiane për kërkesat që lidhen me këtë proces. Kryetari do të raportojë çdo muaj tek Ministri i Brendshëm për ecurinë e punës. Task-Forca është funksionale deri në përfundimin e zbatimit të protokollit.
Task-Forca, kur e vlerëson të nevojshme, fton në mbledhjet e saj ekspertë të jashtëm ose përfaqësues nga organizata, që mbulojnë fushën e institucioneve të përfshira, për çështje që janë jashtë profilit të saj dhe opinioni i tyre bëhet pjesë e vendimmarrjes. Anëtarët e Task-Forcës njoftojnë kryetarin për çdo problematikë dhe vendimmarrje, sipas fushës së përgjegjësisë. Kryetari i Task-Forcës raporton çdo muaj pranë ministrit të Brendshëm për zbatimin e këtij vendimi.
Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte projektuar si një qendër pritjeje për azilkërkuesit e shpëtuar në det, për një periudhë deri në 28 ditë, por me dekretin e ri të qeverisë italiane të drejtuar nga Giorgia Meloni, funksioni i kësaj qendre është zgjeruar.
Tashmë, ajo shërben edhe si qendër ndalimi për emigrantët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil dhe që pritet të deportohen në vendet e origjinës.
Ndërkohë pala italiane pret vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë lidhur me apelimin e paraqitur nga Gjykata e Romës.
Kjo e fundit ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e transferimit në Shqipëri të emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe veçanërisht për rastet që vijnë nga vende të cilat Italia i cilëson si të sigurta, si Egjipti dhe Bangladeshi.


Komente







