Shqipëria do të ketë sërish përfaqësi diplomatike në Irlandë, pasi Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për rihapjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Dublin, e cila kishte qenë e mbyllur prej vitesh.
Vendimi, i propozuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, synon rivendosjen e përfaqësisë diplomatike shqiptare në kryeqytetin irlandez, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën diplomatike, ekonomike dhe konsullore.
Sipas vendimit të qeverisë, kostot për ngritjen dhe funksionimin e ambasadës do të mbulohen nga buxheti i vitit 2026, përmes programit “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit” dhe fondeve të planifikuara për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Vendimi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 25, të ligjit nr.24/2026, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Hapjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Dublin, Republika e Irlandës.
Shpenzimet për hapjen e kësaj ambasade përballohen nga buxheti i vitit 2026 i miratuar në programin “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit” dhe zëri “Shpenzime korrente” për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Komente









