Presidenti Rus Vladimir Putin pritet të zhvillojë konferencën e përvitshme për shtyp ku do të përballet me pyetje të vështira mbi krizën ekonomike në Rusi. Eventi i përvitshëm zhvillohet me pjesëmarrjen qindra gazetarëve dhe transmetohet live në televizionin kombëtar Rus.

Pritet që debati të dominohet nga çështja e rublës, pasi monedha kombëtare ruse po lufton me rënien e vlerës së saj pas rënies së çmimit të naftës dhe sanksioneve të shumta nga vendet evropiane.

Lideri i Kremlinit pritet të pyetet gjithashtu dhe për krizën në Ukrainë dhe marrëdhëniet e Rusisë me perëndimin. Qytetarët janë të shqetësuar për rënien drastike të monedhës vendase dhe kanë nisur të shpenzojnë para në mënyrë masive duke blerë makina e produkte të shtrenjta.

Rusia është goditur nga sanksionet perëndimore pasi Putin aneksoi Krimenë nga Ukraina në mars të këtij viti. Pritet që gjatë kësaj jave të autorizohen sanksione të reja ekonomike mbi Rusinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe liderët evropianë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)