TIRANE- Kryesuesja e delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë Romana Vlahutin i ka dorëzuar kryeministrit Rama progres-raportin për vendin tonë. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp në përfundim të takimit, ambasadorja Vlahutin theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në realizimin e reformave. Vlahutin tha se duhet të forcohet dialogu politik, ndërsa kryeministri Rama tha se opozita duhet të konkretizojë kërkesat e saj, pasi “qeveria nuk e di se çfarë kërkon opozita”.
 
“Reformat duhet të përshpejtohen. Shqipërisë tashmë i janë njohur përpjekjet për realizimin e reformave në vend. Por duhet të shikohet sundimi i ligjit. Kemi të bëjmë me një koncept të ri të mirëqeverisjes ekonomike. Megjithatë me rendësi është gjithëpërfshirja dhe dialogu politik qeveri-opozitë.
 
“Opozita gjatë qeverisjes sonë nuk do të vuajë asgjë nga ato që kemi vuajtur ne gjatë kohës kur ishim në opozitë. Atë që konsideronim të drejtë të opozitës dje, e konsiderojmë edhe sot. Ne presim që opozita të thotë çfarë mund të bëjmë ne, çfarë kërkon. Kur ne braktisëm parlamentin kërkonim hapjen e kutive. Akoma nuk e dimë çfarë kërkon opozita, përveç largimin e qeverisë, por këtë nuk ia plotësojmë ne, mund t’ia plotësojë vetëm populli me votë”, tha kryeministri Rama.
 
Duke u ndalur tek progres-raporti, kryeministri tha se bëhet vlerësim pozitiv i punës së qeverisë sa i takon përpjekjeve të deritanishme, ndërsa theksoi angazhimin e qeverisë që ai drejton për përmbushjen e prioriteteve.
 
“Raporti është një vlerësim pozitiv për punën e qeverisë, dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe ndaj korrupsionit janë vlerësuar si hapa seriozë në rrugën drejt integrimit. Raporti tregon sipas nesh në mënyrë shumë të qartë rrugën e hapjes së negociatave për anëtarësim. Kemi bërë hapa konkrete në reformën e gjyqësorit. Nuk janë të gjithë këto hapa, si masa që ne ndërmarrim se na e kërkon BE, por për ne është vendimtare që të vendoset sundimi i ligjit”, u shpreh kreu i qeverisë.
 
I pyetur lidhur me deklaratën e eurokomisionerit Fyle, i cili tha se edhe opozita e kaluar edhe ajo aktuale kanë braktisur Kuvendit, kryeministri Rama tha se “Nuk do grindemi kush do mbajë flamurin. Ne kemi pjesën tonë të përgjegjësisë dhe do ta mbajmë plotësisht”.
 
Kreu i qeverisë ritheksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në tryezën për reformën në drejtesi, pasi theksoi se kjo reformë kërkon gjithëpërfshirje.
 
“Konferenca e organizuar nga presidenti ishte fryt i një bashkëpunimi me ne si shumicë qeverisëse. I jemi drejtuar presidentit që t’i përfshijë edhe partitë politike. Tek reforma në drejtësi ne do të shkojmë. Pjesëmarrja në tryezë është me rëndësi pasi reforma kërkon gjithëpërfshirje”, u shpreh kryeministri Rama.

Ambasadorja e BE-së në Tiranë tha se është detyra e të zgjedhurve që të qeverisin vendin në mënyrën e duhur, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit politike, për të krijuar një situatë pozitive në vend. Vlahutin tha se BE asiston për të krijuar më shumë hapësirë për gjithëpërfshirjen dhe dialog politik.
 
“Është detyrë e atyre që janë zgjedhur që të përfaqësojnë ashtu siç duhet zgjedhësit e tyre. Varet në duart e të dyja palëve për t’u kthyer në një situatë ku ka dialog të mirë politik, për të mirën e vendit. Ajo që mund të bëjë BE, është që të përpiqet të asistojë
për të krijuar atmosferën e duhur apo për të krijuar më shumë hapësirë për gjithëpërfshirjen, duke folur me të gjithë, duke krijuar një atmosfere dialogu, i cili do ta shtyjë Shqipërinë drejt një pozicioni ku Shqipëria do të shihet si një vend me demokraci shumë të përgjegjshme. Ne jemi këtu në Shqipëri që të asistojmë, por jo të udhëheqim vendin. Ata që janë zgjedhur kanë përgjegjësi për ta bërë”, tha Vlahutin.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)