TIRANE - “Reforma në drejtësi në Shqipëri është reforma më e kërkuar nga Bashkimi Europian”. Kështu deklaroi ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin në një konferencë shtypi për gazetarët, pas prezantimit ditën e sotme të progres-raportit për Shqipërinë. Pasi i dorëzoi progres-raportin tek krerët e politikës shqiptare, Vlahutin edhe një herë në mënyrë të përgjithshme foli për reformat që ka ndërmarrë Shqipëria dhe ato që duhet të përfundojë, pa të cilat Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e BE.
 
“Në këtë raport janë mirëpritur disa ecuri që janë arritur disa fusha kyçe, e mbi të gjitha reforma në drejtësi. Për shembull Shqipëria është po punon me komisionin e Venecias, për reformën në drejtësi e cila është e rëndësishme të jetë gjithëpërfshirëse. Është përforcuar lufta ndaj krimit të organizuar si dhe janë zhvilluar disa operacione antidroge të suksesshme. Gjithashtu ka pasur angazhim dhe për luftën ndaj korrupsionit”, deklaroi ambasadorja e BE-së në Tiranë.
 
Por cilat janë fushat ku duhet të punojë më shumë Shqipëria? “Duhet që Shqipëria të bëjë disa përpjekje, që kanë të bëjë me zbatimin e reformave dhe një bilanc i besueshëm i rezultateve. Duhet të vazhdojë reforma në administratën publike, reforma në gjyqësor (të jetë e hollësishme dhe gjithëpërfshirëse) kjo është reforma më e kërkuar nga ne. Duhet të bëjë dhe përpjekje në luftën ndaj korrupsionit. Duhet të marrë masa për të plotësuar mbrojtjen e të drejtave themelore. Duhen marrëdhënia konstruktive për vendet e rajonit një rol për të cilin Shqipëria ka medalje dhe ecën sipas parimeve të BE. Ka sfida ekonomike dhe duhen marrë masa për të trajtuar deficiti buxhetor. Duhet ri-startuar dialogu politik dhe puna konstruktive në Parlament. Të ketë një vend ku të gjithë njerëzit që përfaqësojnë zgjedhësit e tyre të flasin e të dialogojnë”, theksoi Romana Vlahutin, ambasadore e BE në Tiranë.
 
Diplomatja e BE, nxori gjithashtu bllof kryetarin e Partisë Demokratike. E pyetur nga gazetarët nëse në raport theksohet se “Qeveria ka kapur institucionet”, ajo u përgjigj:
“Raporti shpjegon fakte, ato që janë bërë dhe çfarë duhet të bëhen. Unë nuk e kam lexuar fjalën kapjen e institucioneve. Ky raport nuk është një instrument politik. Është një mjet për të treguar se ku vendi po ecën mirë dhe ku ka probleme.

Ambasadorja e BE, gjithashtu theksoi se autoritetet shqiptare duhet të bëjnë punë të vazhdueshme në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Nuk duhet të mbarojë me disa hetime por duhet një punë sistematike. Gjithmonë kjo punë duhet rritur duhet përforcuar dhe ne na duhen fakte që kjo punë vazhdon”, theksoi Romana Vlahutin.

konferenca
 
Nga ana tjetër në Bruksel është mbajtur ditën e sotme konferenca për shtyp nga Komisioneri për Zgjerim në BE Stefan Fyle në lidhje me progresin e bërë nga vendet që aspirojnë për anëtarësimin në BE, përfshirë këtu dhe raportin për Shqipërinë.

Në orën 15:30, ambasadorja e BE Vlahutin zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama, duke dalë në një konferencë të përbashkët. ambasadorja Vlahutin theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në realizimin e reformave. Vlahutin tha se duhet të forcohet dialogu politik, ndërsa kryeministri Rama tha se opozita duhet të konkretizojë kërkesat e saj, pasi “qeveria nuk e di se çfarë kërkon opozita”. Vlahutin: Duhet gjithëpërfshirje, Rama: S’dimë ç’kërkon opozita

Në 16:30 Vlahutin i dorëzoi Presidentit të Republikës Bujar Nishani Progres-Raportin. Ky i fundit vlerësoi dokumentin, duke theksuar rëndësinë e reformave dhe përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Europian, në funksion të afrimit të vendit me Bashkimin Europian.Gjatë prezantimit Vlahutin vlerësoi ndihmën e autoriteteve shqiptare në hartimin e këtij Raporti, i cili ndërtohet mbi atë të qershorit, që çoi në marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, dhe mbi zhvillimet e mëtejshme deri në tetor 2014. Progres-Raporti, Nishani:Rëndësi reformat e përmbushja e kritereve

Më pas, ambasadorja Vlahutin, i dorëzoi Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, Progres Raportin 2014 të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Kryetari i Kuvendit, shprehu mirënjohjen për punën e Komisionit Evropian dhe në veçanti të Prezencës së Bashkimit Evropian në Tiranë në funksion të progresit të Shqipërisë në axhendën e saj evropiane.  Meta-Vlahutin: Parlamenti, platforma më e mirë e dialogut politik

Pas prezantimit të progres-raportit për Shqipërinë, kreu i Partisë Demokratike është ndalur tek çështjet kryesore të paraqitura, si dhe tek bojkoti i opozitës. Basha thotë se opozita do të kthehet në Parlament nëse kryeministri Rama reflekton lidhur me qëndrimet e qeverisë ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për denoncimet e bëra vazhdimisht nga PD për të inkriminuarit në Parlament. Në këtë mënyrë, Basha i përgjigjet edhe deklaratës së bërë më herët gjatë ditës së sotme nga kryeministri Rama, se “nuk e dinë se çfarë kërkon opozita”.  Basha: Në Bruksel nuk shkohet pa opozitën

Në vijim të takimeve, Vlahutin i dorëzoi progres-raportin Ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Ambasadorja Vlahutin vuri në dukje se, "Raporti i Progresit për Shqipërinë konfirmon ecurinë pozitive të reformave të evidentuara në Raportin e Qershorit”. Ndërsa Ministri Bushati në fjalën e tij theksoi se, "statusi i vendit kandidat shërben si inkurajim për përpjekje të mëtejshme në procesin e reformave”.  Bushati-Vlahutin: Raporti i Progresit konfirmon ecurinë pozitive të reformave

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)