Vlahutin: Vettingu s'negociohet 
Komisioni i Venecias dha "Ok"-in

Vlahutin: Vettingu s'negociohet <br />Komisioni i Venecias dha
"Vettingu nuk mund të negociohet". Kjo është deklarata e ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin.

E ftuar në Top Story, shefja e diplomacisë së BE në Tiranë deklaroi se Komisioni i Venecias dha "Ok"-in për kushtetutshmërinë e ligjit dhe kësisoj ajo që mbetet është zbatimi i tij. 

"Gjatë gjithë kohës kemi qenë shumë të qartë. Miratimi i kësaj reforme duhet të kishte ndodhur që në maj, por u shty deri në mes të korrikut. Është e qartë, Vettingu nuk mund të negociohet. Ai duhet të fillojë dhe duhet madje të japë disa rezultate në mënyrë që Komisioni të rikonfirmojë rekomandimin e vet. Mendoj që ajo që është e rëndësishme në këtë moment është që të gjithë të rikonfirmojnë angazhimin e tyre drejt orientimit që ka dhënë Komisioni i Venecias dhe ka qenë një gjë e mirë që Gjykata Kushtetuese ka kërkuar opinionin 'amicus curia' sepse për ne, përgjigja e Komisionit të Venecias është shumë e qartë. Ne presim që opinioni i Komisionit do të merret në konsideratë në mënyrë të duhur", u shpreh Vlahutin. 

Çfarë ndodh nëse Gjykata Kushtetuese kthen totalisht ose pjesërisht ligjin e Vettingut duke bllokuar minimalisht në kohë reformën në drejtësi, a do të thotë kjo fundin e shpresave për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm?
Po. Gjatë gjithë kohës kemi qenë shumë të qartë. Miratimi i kësaj reforme duhet të kishte ndodhur që në maj, por u shty deri në mes të korrikut. Është e qartë, Vettingu nuk mund të negociohet. Ai duhet të fillojë dhe duhet madje të japë disa rezultate në mënyrë që Komisioni të rikonfirmojë rekomandimin e vet.

Ju u përgjigjët shumë drejtpërdrejtë. Pra, mosfillimi i Vettingut apo kthimi i tij nga Gjykata Kushtetuese, i pjesshëm apo i plotë do të thotë bllokim të procesit. Opinioni i Venecias, në dy apo tre vende ja lë sovranitetin e vendimit Gjykatës Kushtetuese. Si duhet ta interpretojnë gjykatësit kushtetues këtë deklaratë tuajën?
Deklarata ime nuk ka të bëjë me atë sesi gjyqtarët do të marrin vendimin e tyre. Unë po them kushtin e Komisionit për të riafirmuar rekomandimin e vet. Pra, Vettingu, një Vetting me cilësi duhet të ndodhë në mënyrë që ne të rikonfirmojmë rekomandimin. Nëse Gjykata Kushtetuese do të gjejë arsye për të kërkuar rikalibrimin e elementëve në ligj, kjo është në dorën e Gjykatës Kushtetuese për ta marrë këtë vendim. Por, ajo që duhet të ndodhë është që Vettingu të fillojë dhe duhet të fillojë që të japë rezultate.Është e një rëndësie tejet të madhe. Në të gjithë këtë çështje të zgjerimit, pika kryesore është besimi dhe kur qytetarët shqiptarë nuk kanë besim tek gjyqësori i tyre, si mund t'u kërkojmë qytetarëve europianë që të kenë besim?! Prandaj, ne duhet të sigurohemi që gjyqësori është plotësisht funksional para se të lëvizim më përpara dhe ka pasoja për të gjitha proceset e tjera. Ju e dini që sa u përket pesë prioriteteve kyçe, tre në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit dhe për këtë arsye ne nuk do të kemi mundësi që të ecim përpara dhe nuk do të ketë progres në Shqipëri nëse kjo çështje nuk trajtohet. Mendoj që është shumë e qartë dhe raporti i Komisionit ka qenë shumë i qartë. 

Jeni përfaqësuese e 28 vendeve dhe nuk e keni të lehtë të flisni për secilën prej tyre, por në përgjithësi, klima e 28 vendeve kur ishte puna tek Shqipëria, pavarësisht se konsensusi u prish për shkak të Austrisë për çështje të lidhura me Turqinë, kur erdhi puna tek Shqipëria, a kishte konsensus, përbashkësi të të gjitha vendeve anëtare lidhur me opinionin e shprehur në aneksin e zotit Lajçak?
Mendoj që kanë rënë dakort në mënyrë absolute të gjitha vendet anëtare. Është shumë e qartë që Shqipëria po ecën përpara, pra ka progres dhe është shumë e qartë kjo edhe në aneks apo shtojcë. Po ashtu, është shumë e qartë edhe ajo se çfarë pritet nga Shqipëria. Pra nuk ka paqartësi dhe e përsëris që zoti Lajçak e tha shumë qartë që ne nuk do të varemi nga kalendari, sepse ecuria e Shqipërisë do të varet nga Shqipëria dhe që ka mundësi që Komisioni, nëse vëren ecuri pozitive, ose shumë pozitive mund t'i raportojë Këshillit përpara pranverës së vitit 2018. Pra, tani topi është në anën e Shqipërisë.

Topi për momentin është tek Gjykata Kushtetuese, pasi besoj që pavarësisht divergjencave të partive politike, ato e miratuan reformën në korrik. Ju thatë që reforma duhej të ishte miratuar në maj, por pse u vonua?
U vonua për arsye se po negocionim për të patur konsensus dhe ju e dini që ka patur shumë e shumë takime në formate nga më të ndryshmet. Jemi përpjekur që të kuptonim se cila ishte dëshira e vullneti i popullit shqiptar dhe t'ja thonim këtë Parlamentit Europian, sepse kjo reformë nuk është e rëndësishme vetëm për të ardhmen e Shqipërisë, por mendoj se është shumë e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri. Ndaj, kemi përdorur edhe tre muaj të tjerë që të arrinim konsensusin nëse do të ishte i mundur.

Ju në një intervistë keni deklaruar se pasi reforma kaloi në Parlament u ndjetë e lehtësuar. Tani që Vettingu është në majë të shpatës, nuk mendoni se ishte një deklaratë pak e hershme kjo e juaja?
Jo. Aspak! U ndjeva e lehtësuar dhe ende ndjehem e lehtësuar për tre arsye. Së pari, sepse është Kushtetuta. Pra, çdo gjë është në Kushtetutë dhe duhet respektuar nga të gjithë ata që do të qeverisin vendin. E dyta është që tani kemi një dokument europian, një dokument të BE-së. Ne kemi një rekomandim shumë të qartë nga Komisioni që BE do të nisë bisedat për anëtarësim, por që kushti thelbësor është rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nuk ka kthim pas për këtë. E treta, që është shumë e qartë, reforma në drejtësi ka një mbështetje absolute nga qytetarët shqiptarë. Nuk mendoj dhe nuk më shkon ndërmend asnjë forcë politike këtë, sidomos në një vit zgjedhjesh. Ndaj unë mendoj se arsye që u ndjeva e lehtësuar është se nuk ka kthim pas. Ne nuk ishim naiv. E dinim që do të hasnim shumë pengesa gjatë rrugës, do të kishte kurthe apo probleme, por ajo që është e rëndësishme është që ka një trajektore shumë të qartë. Mund të ndodhë shumë shpejt, mund të kërkojë më shumë kohë. E vetmja çështje është dinamika. Kjo lloj dinamike është e lidhur në mënyrë tërësore me progresin e Shqipërisë drejt BE. Kjo do të thotë që kushdo që do t'ja dijë dhe ka një interes të vërtetë për të ardhmen europiane të Shqipërisë, duhet të kujdeset që kjo reformë të zbatohet sa më shpejt.

Tani tundohem t'ju pyes, ka nga ata që nuk duan t'ja dijnë për të ardhmen europiane të Shqipërisë?
Prezumoj që ka grupe njerëzish që mendojnë që interesat e tyre privatë janë më të rëndësishëm se interesat e vendit, interesi kombëtar. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Jam e sigurtë që do të na duhet të merremi me probleme të caktuara gjatë kësaj pune. Por, kjo është një reformë shumë e madhe. Është ndoshta reforma më madhore në drejtësi që është marrë në vendet e zgjerimit sepse është në të vërtetë një reformë që duhet të transformojë vendin përgjithnjë për më mirë.
                                     
Folët për kurthe. Thatë që ishit e përgatitur që do të kishit kurthe. Pati realisht kurthe nga pala shqiptare, nga politika shqiptare në qeveri dhe opozitë në këtë dinamikë të hartimit dhe miratimit të reformës?
Kemi patur një kombinim gjërash. Ashtu siç e përmenda, interesa të caktuara të grupeve të caktuara, ndërsa e dyta është sesi përdoret kjo në gjithë procesin politik në vend dhe të gjitha këto janë pengesa të një cilësie të caktuar apo të niveleve të ndryshme, por ne do t'ja dalim mbanë dhe ajo që mendoj që është e rëndësishme është që është shumë e qartë dhe kjo qartësi duhet ta ndihmojë për të ecur përpara procesi më shpejt.

Sa ndihmoi apo sa pengoi fakti që përfaqësuesit diplomatikë të dy prej fuqive më të mëdha ndërkombëtare, SHBA dhe BE në shpejtimin apo ngadalësimin e kësaj reforme? Pra, pa ndërhyrjen tuaj dhe të zotit Lu, do të ishte realizuar kjo reformë vetëm si një nismë e mazhorancës?
Nuk e di! Nuk mund të spekuloj për këtë çështje. Di që si SHBA, ashtu edhe BE janë miq të Shqipërisë dhe për mua është  detyrim për arsye se qytetarët e Shqipërisë e kanë shprehur shumë qartë vullnetin e tyre dhe duan që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE dhe prandaj ne po bëjmë çdo gjë që kemi në dorë që kjo dëshirë e shqiptarëve të realizohet. Është puna, detyrimi im që unë të bëjë çdogjë që mundemi ne si institucione të BE për të ndihmuar Shqipërinë që të ecë përpara.

Sa e vërtetë është deklarata e Kryeministrit se kjo është një reformë e Bashkimit Europian dhe e Shteteve të Bashkuara? Pra, deri në ç'pikë qëndron autorësia e Brukselit dhe Uashingtonit në këtë reformë përtej vullnetit politik të partive shqiptare?
Ne jemi përfshirë thellësisht në nivelin teknik. Kjo është normale dhe kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Që  Shqipëria të përmbushë të gjitha kërkesat e BE-së, do të ketë edhe disa ligje të tjera që duhen miratuar dhe kjo është arsyeja që kemi folur edhe më përpara për këtë në mënyrë që të gjitha njohuritë dhe ekspertiza e institucioneve të BE-së t'i ofrohen Shqipërisë për të ecur përpara. Përfshirja jonë ka patur të bëjë me standarde që duhen aplikuar sepse do të ishte një shpenzim i kotë kohe që të miratohej një reformë në drejtësi që për BE do të ishte jo e standardeve të duhura. Unë mendoj që përfshirja ishte normale dhe në interes të përbashkët të BE-së dhe Shqipërisë.

Ka qenë një vit i gjatë, i përfshirjes edhe tuajën në këtë proces, cili është momenti më i vështirë kur thatë që kjo reformë nuk kalon?
Unë nuk jam ai lloj personi që ka këto lloj vështirësish. Për mua synimi ishte shumë e qartë dhe nuk kishte kohë për të menduar për momentet e vështira. Energjia jonë ka qenë përqendruar tek zgjidhja, jo tek problemet pasi edhe unë vij nga një vend që ka kaluar procesin e zgjerimit. Njoh mirë këto sfida dhe lloje të ndryshme manovrimesh. Mendoj që kam qenë e pajisur mirë që të trajtoja probleme të ndryshme. Po përpiqem që të mbaj përqendrimin tim në ato gjëra që duhen bërë.Por po, ka qenë një vit i gjatë. Kjo është e vërtetë!

Dhe një vit që nuk ka mbaruar akoma, pasi jemi akoma në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Presioni pozitiv është shtuar ndaj tyre nga ndërkombëtarët dhe nga ne. Dëgjova Ambasadën e SHBA që pas publikimit të opinionit të Venecias, në njëfarë mënyrë i bëri presion të drejtpërdrejtë Gjykatës Kushtetuese kur i tha: duhet të riktheni besimin tek drejtësia. Ju duket normale kjo për një vend kandidat të BE, apo janë anormale kushtet e Shqipërisë?
Mendoj që ajo që është e rëndësishme në këtë moment është që të gjithë të rikonfirmojnë angazhimin e tyre drejt orientimit që ka dhënë Komisioni i Venecias dhe ka qenë një gjë e mirë që Gjykata Kushtetuese ka kërkuar opinionin 'amicus curia' sepse për ne, përgjigja e Komisionit të Venecias është shumë e qartë. Ne presim që opinioni i Komisionit do të merret në konsideratë në mënyrë të duhur. Kjo është gjëja më rëndësishme për ne. Shqipëria është një vend sovran, Gjykata Kushtetuese është një gjykatë e cila do të marrë dhe duhet të arrijë vendimin e vet, por ne shpresojmë që të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces do t'i përmbahen angazhimit që kanë bërë Komisionin e Venecias. Kur procesi ka qenë në fillimet e veta, ka patur edhe një marrëveshje të shkruar mes partive politike në Kuvend, që kanë marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm, që Komisioni i Venecias do të ishte pika e referimit.

Ky ishte edhe momenti kur partitë ranë dakord që procesi duhet të ishte edhe politik dhe të mos kishte vetëm vendimmarrje teknike,por edhe politike dhe u zgjodh Venecia. Ju folët që opinioni i Venecias ishte i qartë, pra përgjigja që dha për katër pyetjet e shtruara nga palët e interesuara besoj ishte i qartë në kuptimin që e rikonfirmoi ligjin e Vettingut ashtu siç është?
Po. Kjo është ajo që kuptojmë ne dhe interpretimi i ekspertëve tanë, ky është.

Është e vërtetë që komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE dhe KE, i shohin përpjekjet e PD si shprehje vullneti kundër reformës dhe nëse është kështu, pse?
Jo. Ne kemi punuar me të gjitha partitë për të arritur marrëveshje për një gjë që mbështetet tërësisht nga njerëz që janë në të dyja kahet. Po të shohësh sondazhet që nevoja për reformën në drejtësi është e vetmja gjë që duket qartë, jo vetëm në sondazhet politike. Ka qenë një proces i vështirë, ka patur një mungesë shumë të madhe besimi dhe dialogu mes partive politike dhe ne jemi përpjekur që të qëndronim diku në mes, që të gjendeshin zgjidhje të pranueshme për të gjithë, por jo zgjidhje që do të shkonin nën standardet e pranueshme të BE. Ne nuk kemi qenë të gatshëm që të bënim kompromise që kompromentojnë standardet e BE.

Duke u marrë me palën që duket sikur është skeptike për reformën, harrojmë të flasim për palën që ka qenë pro reformës. Cili ka qenë roli i mazhorancës dhe qeverisë në këtë reformë? Mazhoranca kuptohet të dyja partitë e saj dhe më pas tre.
Më duhet të them që ka patur angazhim dhe mbështetje shumë të madhe, jo vetëm nga dy partitë e mëdha të mazhorancës, por edhe më të voglat. Mendoj që ka patur disa trauma politike që kanë qenë pengesa e reformës në drejtësi. Është dashur mjaft kohë, por kur shohim reformën sa e plotë, tërësore dhe sa e rëndësishme është, 1 vit e gjysmë kohë nuk është edhe aq kohë e gjatë. Komisioneri Hahn tha në një moment që kjo reformë është një mrekulli e vogël që ka ndodhur. Unë jam shumë e lumtur për këtë edhe krenare për atë që kemi arritur, sado e vështirë ishte apo sa vështirë do të jetë në të ardhmen sepse do të duhet kohë që kjo reformë të shkojë deri në fund.

Le të themi që ka qenë një vit i vështirë politik, i rëndësishëm dhe i veçantë. Kemi patur nisma të tjera nisma kushtetuese të rëndësishme, si ai i dekriminalizimit që u deshën ndryshimet kushtetuese që ai të bëhej i pranueshëm. Detajet që po dalin tani, si shembull, debati është fakti që për shkak të ligjit të dekriminalizimit, do të ketë një pjesë të njerëzve në Shqipëri në zgjedhjet e ardhshme që nuk do të votojnë. Pra do t'u hiqet e drejta për të votuar dhe nga shumë përfaqësues, kjo shihet si shkelje e parimeve kushtetuese. Ne po pranojmë këto sakrifica në emër të një ndryshimi radikal sa i përket krimit dhe korrupsionit në drejtësi. Institucionet që krijohen nga reforma a japin garanci që nuk do të ketë gjueti shtrigash ndaj kundërshtarëve politikë, rivalëve politikë? A jep garanci që të drejtat e njeriut do të ruhen dhe të themi, që influenca politike nuk do të kalojë nga PD, siç perceptohet sot, tek PS?
Nuk e kuptova atë që do të ketë njerëz që do të votojnë. Mendoj që është pak ndryshe, pra do të ketë persona të cilët nuk do të kenë mundësi që të zgjidhen, jo që të zgjedhin. Kjo është tërësisht ndryshe dhe të gjithë do të kenë mundësi që të votojnë.

Jo, në fakt shqetësimi që ka dalë pas zbardhjes së ligjit të dekriminalizimit dhe nisjes së zbatimit të tij, është fakti se kategori të caktuara, që kanë kryer krime të caktuara, nuk do të lejohen të votojnë dhe kjo është pak shqetësuese. Por mos ndalemi shumë tek këto. Ideja është që këto nisma të reja ligjore ngrenë shqetësimin që mund dhe po prekin të drejtat e njeriut, balancat në vend dhe ndoshta mund të sjellin kalimin e influencës tek drejtësia nga e djathta tek e majta.
Është hera e parë në jetën time që dëgjoj që ndokush ka patur ndonjë ide të tillë. Jam e sigurtë që ky duhet të jetë një interpretim i gabuar sepse ajo që kemi kuptuar ne është se ata që kanë kryer krime, nuk mund të kandidojnë dhe nuk mund të votohet për ta, por ama të gjithë kanë të drejtën për të votuar dhe kjo është e panegociueshme dhe baza e demokracisë. Le t'i kthehem skepticizmit që ju shprehët dhe garancive. Kam mësuar gjatë këtyre viteve që skepticizmi është një ndjesi e shpeshtë në Shqipëri. Njerëzit nuk kanë besim që ndryshimi mund të ndodhë dhe nuk besojnë që gjërat do të jenë më mirë në thelbin e tyre. Unë mendoj që kjo ndodh për një sërë arsyesh. Në të shkuarën dhe historinë tuaj nuk keni parë shembuj njerëzish të jenë dënuar për krimet që kanë kryer. Por, ju siguroj që do të ndryshojë kjo gjë, sepse integrimi në BE për mua është pikërisht kjo gjë. Këtë e them nga përvoja ime personale. Vij nga një vend që ka kaluar ndryshime madhore. E kam thënë në intervistën e parë që kam dhënë në Shqipëri se kur u arrestua kryeministri ynë, një person që dukej sikur ishte i paprekshëm, unë kuptova që ai rrugëtim kishte ardhur në fundin e vet dhe kuptova që Kroacia së shpejti do të bëhej anëtare e BE. Mbaj mend skepticizëm edhe në vetë vendin tim, sepse njerëzit janë të lodhur, sepse këto gjëra po zgjaten pafundësisht. Por do ta shikoni që sapo të fillojnë gjërat, lëvizin dhe ndryshojnë shumë shpejt. Unë nuk kam pikë dyshimi për këtë gjë, kështu që as ju s'keni pse jeni skeptik. Duhet më shumë besim tek këto procese, sepse përsa kohë kanë funksionuar në vende të tjera, nuk ka asnjë arsye se përse të mos funksionojë në Shqipëri. Gjuetia e shtrigave? Të drejtat e njeriut për ne janë gjëja kryesore, ndaj ekspertët tanë kanë punuar në mënyrë shumë të ndërgjegjshme dhe të plotë që prej nisjes së reformës që të siguroheshim dhe të benim të mundur që të gjitha elementet e reformës të ishin në përputhshmëri të plotë me të gjitha standardet e BE-së sa u përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe në fakt BE është kampioni botëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ne kemi një Gjykatë për të Drejtat e Njeriut dhe nuk ka asnjë mënyrë sesi ekspertët tanë do të bënin një hartim, ose diçka pa marrë këto dy gjëra në konsideratë. Ju siguroj për këtë dhe kjo është arsyeja se pse themi që çdo gjë është hartuar në përputhshmëri të plotë. Gjithsesi, do të ketë një mision monitorimi të plotë dhe të fortë nga BE. Siç e dini, çdo komision Vettingu do të ketë një gjyqtar të nivelit të lartë nga BE, që do të dëgjojë të gjitha diskutimet, do të shohë të gjithë dokumentacionin që të shohë që procesi nuk po manipulohet. Puna nuk do të ndodhë në vakuum, por do të ketë procedura shumë të qartë dhe të monitoruar rreptësisht prej nesh.

Vërtet besoni që këta 'peshqit e mëdhenj' do të arrestohen nën akuzat e korrupsionit nga gjykatësit dhe prokurorët e rinj?
Po, besoj. Mbaj mend që kemi bërë një bisedë bashkë dhe ju më thatë që vërtetë mendoni që reforma në drejtësi do të kalojë dhe unë ju thashë: Po e besoj dhe ja ku jemi sot. Kështu që më lejoni t'u kujtoj që kemi një historik pozitiv të arritjeve. Sigurisht që duhen marrë parasysh rrethanat, por siç e thashë, ajo që është e rëndësishme është trajktorja e qartë. Mund të duhet gjysmë viti, një vit apo pesë vjet. Këtë nuk e dimë, por unë mendoj që rrugëtimi është i qartë dhe pjesë e gjithë kësaj gjëje.

Kam patur fatin që të intervistoj Prokurorin kroat të zyrës antikorrupsion që vuri prangat në duart e ish-kryeministrit Ivo Sanader. Mendoni në trupën e juristëve shqiptarë do të gjendet një person i tillë që të ketë guximin që të vendosë prangat në kyçet e një politikani të lartë këtu në Shqipëri?
 
Po, kam besim! Më është thënë shumë herë që ka për të qenë e vështirë për të gjetur një person të tillë, por unë këtë nuk e besoj. Kam besim të plotë që në Shqipëri ka shumë njerëz që kanë integritetin, ndershmërinë, guximin, kurajon dhe kapacitetet që ta bëjnë këtë gjë. Unë e njoh personalisht vetë Cvitan dhe kam mendim tejet pozitiv për të. Për mendimin tim, një nga personat më të rëndësishëm në të ardhmen në Shqipëri do të jetë ai person që do të zgjidhet si prokuror i posaçëm i vendit dhe unë kam shpresë dhe shpresoj që do të takoj dikë me integritet absolut për këtë çështje. Do të jetë tejet me rëndësi për Shqipërinë sepse në njëfarë mënyrë do të restaurojë besimin e qytetarëve tek institucionet. Fatkeqësisht, këtu është sikur çdogjë është personale, është sikur ka të bëjë me personat, por duhet të kalojmë në një pjesë tjetër. Ka ardhur koha e institucioneve. Duhet të keni besim tek institucionet. Nuk ka rëndësi se kush është tek ato institucione.Ky është stabiliteti dhe prodhimtaria e institucioneve që ne presim.

BE dhe SHBA patën një rol të jashtëzakonshëm në këtë reformë në ndryshimin e Kushtetutës, bërjen e ligjeve dhe monitorimin e tyre. Do të ketë vendimarrje, influencë apo këshillë BE dhe SHBA edhe në vendosjen e emrit konkret në krye të kësaj byroje speciale antikorrupsion?
Ky duhet të jetë një vendim sovran i Shqipërisë në mënyrë absolute. Ju e dini që të gjithë do të kalojnë më parë  Vettingun. Ne do të monitorojmë Vettingun dhe shpresoj që pas tij do të kemi mundësi të themi me më shumë siguri që "Po, këta persona janë të duhurit që do ta shërojnë drejtësin". Personalisht unë e shoh Vettingun si një mënyrë për të promovuar dhe ngritur në detyrë personat që bëjnë detyrën me integritet dhe profesionalizëm të plotë. Është shumë e rëndësishme që t'ua bëjmë atyre më të lehtë sepse nuk është e thjeshtë që të jesh pjesë e një grupi që shihet nga qytetarët në një mënyrë apo në një tjetër. Thjesht pse je pjesë e atij grupi shihesh në atë mënyrë. Kjo do të jetë shumë e mirë për ata persona të cilët kanë integritetin e duhur që ta bëjnë punën e tyre në mënyrën e duhur dhe pa pikë dyshimi.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Gol dhe asist i Sakas, Arsenal e nis me shkëlqim Premier League! Slot dhe Liverpool fitojnë në debutim (VIDEO)

Gol dhe asist i Sakas, Arsenal e nis me shkëlqim Premier League! Slot dhe Liverpool fitojnë në debutim (VIDEO)