Përfaqësues të Partisë Lëvizja Shqipëria e Re (PLSHR) dhe kryetari i saj zoti Edmond Vlashaj janë takuar me dy negociatorët e Partisë Demokratike (PD), Sekretarin e Përgjithshëm Ritvan Bode dhe shefin e kabinetit pranë kryeministrit, Oerd Bylykbashi.

Në mjediset e selisë së partisë që udhëheq koalicionin e qendrës dhe të djathtë është rënë dakort për koalicionin parazgjedhor me Partinë Demokratike dhe me një sërë partish të tjera të këtij spektri. Pas takimit me dy negociatorët e PD, kreu i PLSHR Edmond Vlashaj dha një prononcim për mediat e shumta vizive dhe të shkruara. “Sot është një moment i rëndësishëm, tha zoti Vlashaj, që shënon fillimin e një etape të rëndësishme në ecurinë politike të Partisë Lëvizja Shqipëria e Re.

Natyrshëm, kemi vendosur të bashkërendojmë aktivitetin tonë politik me koalicionin e djathtë dhe të qendrës, duke synuar që me kontributin dhe energjitë tona maksimale e të jashtëzakonshme, të shndërrohemi jo vetëm në partnerë dinamikë dhe përcaktues në koalicionin qeverisës edhe pas 23 qershorit, por pikësëpari duke synuar të shndërrohemi në garantues të të drejtave dhe interesave të njerëzve të thjeshtë, të familjeve në nevojë, të të rinjve dhe të sipërmarrësve po ashtu.

Autenciteti, origjinaliteti dhe identiteti ynë unik në të gjithë hartën politikë të vendit, në lidhje me Projektin e Shqipërisë së Re, në Drejtësi dhe Zhvillim, do të vazhdojë të jetë në fokusin tonë duke u fuqizuar çdo ditë e më shumë e duke përfshirë në të kontributin e çdo shqiptari të ndershëm”.

Sot pasdite Kreu I PLSHR-së, Edmond Vlashaj mori pjesë në ceremoninë e zyrtarizimit të koalicionit me PD-në, ku ishte I pranishëm Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kreu I partisë kryesore të koalicionit me partitë e djathta dhe të qendrës. Përveç PLSHR, PD ka nënshkruar edhe me Partinë Lëvizja e Legalitetit, me Partinë Demokristiane, me Partinë Agrare Ambientaliste, me Partinë e Ballit Kombëtar, me Bashkimin Liberal Demokrat, me Aleancën Demokristinae, me Partinë Ora e Shqipërisë, me Partinë e të Drejtave të Mohuara, me Partinë Republikane, me PDIU, me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, me Partine e Bashkimit Demokrat, etj.