Ballkani humbi dje 0-1 me Slavia Prague në ndeshjen e pestë të Conference League. Sfida e zhvilluar në Prishtinë pa "Fadil Vokrrin" të mbushur në kapacitet maksimal, me djemtë e Ilir Dajës që bënë një paraqitje të mirë. Megjithë lojën e mirë, Ballkani është jashtë CL, duke u renditur në vendin e katërt në grupin G. Pas ndeshjes trajneri Ilir Daja tha se kundërshtari vlen dyfishin e klubeve kosovare në treg, teksa suharekasve iu anullua edhe një 11 metërsh sipas Dajës.
"Si shkoi ndeshja? Mendoj që ishte një penallti e pastër e pa dhënë dhe një e diskutueshme. Jo se ul meritat e kundërshtarit, pasi kishim ekipin më të fortë të grupit. Me këtë intesitet duhet të them që të gjithë klubet në Kosovë në “transfermarkt” vlejnë 25 milionë euro, ndërsa Slavia Prague vlen rreth 50 milionë euro, pra dyfishi. Pra kishim një kundërshtar shumë të fortë përballë.
Dëmtimi i Ermal Krasniqit - Shpresoj të mos ketë gjë të rëndë pasi është shumë i rëndësishëm për sulmin tonë. Dalja e Ermalit na i vështirësoi gjërat, pra këta djem meritojnë vetëm fjalë të mira.
Ecuria - Të gjithë sportdashësve kosovar ia kemi kthyer mbështetjen, pasi jemi ekipi i vetëm deri tani që Slavia Prague i kemi shënuar dy gola. Deri këtu mendoj që ka qenë një paraqitje e mrekullueshme", tha trajneri i Ballkanit.
Ilir Daja foli edhe për ofertat e mundshme nga klube të ndryshme për lojtarët që ai drejton, duke treguar se ka interes pas paraqitjes së mirë në Conference League.
"Oferta ka, por po të më pyesnin mua nuk do shisja asnjë, por politikat e klubit, duke iu dhënë mundësinë lojtarëve për të shkuar jashtë, mendoj se duhet t’i shesim. Njëkohësisht ta përdorim si politikë për t’ju thënë lojtarëve hajdeni te Ballkani se mund të shkon jashtë më pas", tha Ilir Daja. Ballkani luan me CFR Cluj ndeshjen e fundit në grupet e Conference League.