TIRANE - Gjyqtarët dhe prokurorët të cilët do të kenë rezultate negative nga procesi i rivlerësimit që do t’i përfshijë të gjithë në kuadër të reformës në drejtësi, kanë dy mundësi: ose të largohen nga sistemi, ose të rikthehen në Shkollën e Magjistraturës për riaftësim. Kjo konfirmohet nga eksperti i nivelit të lartë për reformën në drejtësi, Sokol Sadushi gjatë një interviste për “Shqiptarja.com”.

Eksperti i cili është dhe një prej hartuesve të ndryshimeve kushtetuese, thotë se edhe gjyqtarët që mund të shfrytëzojnë hapësirën ligjore për të dalë nga sistemi, mund të rikthehen si prokurorë dhe gjyqtarë, vetëm nëse i nënshtrohen po ashtu procesit të verifikimit dhe rivlerësimit.

Sipas Sadushit, pritet që Komisioni i Venecias të dërgojë një tjetër opinion paraprak në muajin shkurt, përpara atij përfundimtar në mars. Pritshmëria e këtij raporti është të evidentojë dhe të propozojë zgjidhje për të gjitha rastet kur Kushtetuta mund të lërë vend për kundërshtime apo dykuptimësi. Sokol Sadushi thotë se reforma do të përllogarisë ndryshim të statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke shtuar dhe rritjen e pagës së tyre. Sipas tij, koha që do t’i duhet Shqipërisë për të “rifreskuar” kastën e gjyqësorit, është të paktën 3 vjet.