Pak ditë nga nisja e kampionatit një vendim tronditës vjen nga klubi i futbollit të vajzave të Vllaznisë. Presidenti Lazer Matija, i cili e ka udhëhequr këtë ekip drejt fitimit të 13 kampionateve radhazi, duke u kualifikuar edhe në grupet e Champions League, ka njoftuar dorëheqjen si president, por edhe si kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit në Shkodër. Sipas tij shkak janë bërë përplasjet me FSHF-në dhe truket e kësaj të fundit që kërkon me doemos të dëmtojë ekipin e vajzave.

“Futbolli i vajzave në Shkodër ka 3-4 vite që është i përsekutuar. Kemi dalë kampion me U-17 dhe asnjë nga vajzat e Vllaznisë nuk është afruar në kombëtare dhe kur afrohen i mbajnë rezervë dhe nuk i fusin në lojë. Edhe tek ekipi i parë është bërë e njëjta gjë. Kanë marrë 2-3 lojtarë që s’mund ti lënë pa marrë. I shërbyejnë shoqërisë dhe interesave të tyre. Albitrat në futbollin e vajzave kanë dëmtuar ekipin …..kanë dalë kundërshtar artificial për t’ia hequr Vllaznisë kampionatin,”-u shpreh Matija.

Matija thotë konkretisht se ka përplasje me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe se për këtë arsye ekipit të tij i janë mohuar invenstimet. Sipas presidentit të tërhequr këto përplasje kanë nisur pak kohë më para.

“Kam pas kundërshtime në lidhje me drejtimin e futbollit të femrave në momentin kur erdhi anëtare e komunitetit ekzekutiv një femër Anila Basha. Sipas mendimit tim, por edhe të tjerëve në futbollin e vajzave, ajo nuk është një portret që mund të përfaqësojë futbollin e vajzave në Shqipëri. Kam patur debat me Koço Kokëdhimen. I besuan komisionin e futbollit dhe e çoi futbollin amator, futbollin e vajzave në katrahurë. Ia besoi se ishin marrëdhëniet shumë të mira me presidentin e federatës. Sot Kokëdhima dhe kreu i FSHF-së s’flasin bashkë sepse kështu është e vërteta, por unë i kam kundërshtuar vazhdimisht këta,”-tha Matija.

Kampionati i futbollit të vajzave në Shqipëri nis më 19 shtator dhe në këto kushte Vllaznia mbetet të ajër. Edhe pse skuadra stërvitet vazhdimisht mbetet në pikëpyetje pjesmarrja në kampionat në rast se ekipi nuk gjen një president të ri. Matija e mbyll duke thënë se kjo situatë i shkon për shtat FSHF-së, pasi ka vite që kërkon t’ia japë dikujt tjetër kampionatin.