SHKODËR - Vllaznia dhe Laçi luajnë nesër në 17:00 për javën e 13-të në "Loro Boriçi". Superliga ka filluar është vështirësuar për shkodranët, që edhe pse me trajnerin e ri ende nuk kanë dalë te tri pikët.
Për mediet, Qatip Osamani ka thënë se nuk ka pasur asnjë zënkë mes lojtarëve në dhomat e zhveshjes dhe se kanë punuar për të evituar gabimet që i shfaqën në humbjen 4-1 kundër Partizanit.
"Situata në dhomat e zhveshjes? Nuk ka pasur asnjë përplasje. Ndoshta një shqetësim për atë lojë me Partizanin, por çdo gjë normale pas një loje që e humbën. Shikoj një shqetësim për këto rezultate që janë. Jemi munduar që me biseda individuale, me qëllim sa më të gatshëm të presim lojën me Laçin. Ato elemente që u shfaqën në lojë, i kemi punuar këto ditë. Momentalisht ekipit i duhet një qetësi maksimale për lojën me Laçin. Ne kemi pasur shumë gabime individuale", tha Osmani.
Më pas trajneri foli edhe për mënyrën sesi skuadra pëson golat, si edhe ndryshimet që do ndodhin në ekip.
"Golat që i pësuam nga këto gabime erdhën. Për mendimin tim nuk duhet t’i pësonim ato gola. Edhe kartoni i Bekim Balajt dhe lëndimet na detyrojnë të ketë ndryshime. Do të ketë, por jo shumë. Edhe Smajli dhe Mala janë lojtarë kualitativ. Megjithatë edhe këto zëvendësimet që i kemi duhet t’i përkrahim dhe të hyjmë në fushë maksimalisht të mobilizuar. Opsioni është fitorja", vijoi trajneri.
I afruar vetëm dy javë më parë në Shkodër, Osmani cek edhe objektivat si dhe rivalët e Laçit.
"Besoj se mundësitë janë për katërshe. Vendi i katërt me të fundit janë tre pikë diferencë. Kampionati është i tillë që me një seri fitoresh merr një krah tjetër. Ne mendojmë vetëm për fitore. Laçi është një ekip taktikisht shumë i disiplinuar. Lojërat që ka humbur, nuk i ka humbur me më shumë se një gol diferencë. Megjithatë Vllaznia ka kualitet për ta fituar këtë ndeshje”, u shpreh tekniku Osmani.
Pas 12 ndeshjeve, Laçi me 15 pikë mban vendin e katërt, ndërsa Vllaznia me 13 pikë vendin e tetë. Te Vllaznia për ndeshjen e nesërme nuk do jenë Balaj dhe Mala.