Letra e FSHF-së drejtuar Bashkisë Shkodër
Në Shkodër është duke u zhvilluar një përplasje mes bashkisë së qytetit dhe Klubit të Futbollit Vllaznia. Në datën 21 qershor bashkia ka organizuar në "Loro Boriçi" një recital të këngëtarit Bujar Qamili, me klubin që është kundër që diçka e tillë të zhvillohet aty; kjo pasi prishet cilësia e fushës dhe ndryshon destinacioni i impiantit.
Tanimë Vllaznia ka nxjerrë edhe shkresën që Federata Shqiptare e Futbollit i dërgonte Bashkisë Shkodër në fillim të shkurtit 2025.
"Në lidhje me polemikat e krijuara së fundi për stadiumin "Loro Boriçi" dhe funksionin që ai duhet të luajë, për transparencë dhe informim të opinionit sportiv, po publikojmë shkresën zyrtare që FSHF i adresoi pak muaj më parë Bashkisë Shkodër duke i kujtuar se nuk mund të ketë devijime nga projekti sportiv i destinacionit të këtij impianti", shkruan Vllaznia.
Në përgjigjen e FSHF-së bie në sy se ajo kërkon të respektohet destinacioni i impiantit si diçka që shërben për sport, duke thënë se ky është edhe një kriter i UEFA-s për ndarjen e stadiumeve sipas kategorive.
Pjesë e shkresës është fakti që Shqipëria do të organizojë Europianin U-21 me Serbinë në 2027 dhe UEFA pret që në stadium të mos ketë devijime nga projekti sportiv.
Lajmi kryesor:
Koncerti në stadium, në Shkodër ka përplasje mes bashkisë dhe klubit! Vllaznia: Kemi bërë denoncim, ndryshon destinacioni! Zyrtari: Pretendime të pavërteta

