SHKODËR - Vllaznia dhe Teuta luajnë nesër (e shtunë) në orën 17:00 në "Loro Boriçi" të Shkodrës për raundin e 14-të në Superligë. Pas ndeshjeve të Kombëtares kampionati rikthehet dhe trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric ka kërkuar më të mirën në fushën e tyre.
Përpara medieve ai shtoi se ka dy mungesa, ku peshon ajo e Krymit. Referuar kundërshtarit, kroato-gjermani tha se Teuta është ekipi me përgatitjen më të mirë fizike në kampionat.
"Superliga kthehet pas pushimit, me zor po presim për ndeshjen e nesërme. Fillon një fazë e rëndësishme e kampionatit, kemi punuar për të qenë sa më të përgatitur me Teutën, presim ndeshje të fortë fizike dhe psikologjike.
Mungesat - Ardit Krymi s'do të jetë i gatshëm për nesër dhe është një problem, u mendua se do të mungonte shumë, por mund të kthehet në fushë më herët. Ai ka shkuar jashtë (Serbi) për të marrë mjekim më të mirë dhe shpresoj të na bashkohet sa më shpejt. Vëmendja ime është te lojtarët që kam të gatshëm dhe janë mjaft kompetitivë. Sala do të zëvendësojë Krymin, është në formën e tij më të mirë, më pëlqen mënyra se si punon, ai dhe disa lojtarë të tjerë janë rritur shumë javët e fundit, na duhen lojtarë të tillë që të punojnë në mbrojtje dhe sulm, sidomos kundër Teutës. Teuta bën presing lart dhe i shton stres ekipeve si Partizanit dhe Skënderbeut.
Ne kemi një problem tjetër me Artonin, në gju dhe do të mungojë për disa kohë, i uroj më të mirën dhe të kthehet sa më shpejt. Për Jagon jam i lumtur, e meritoi rinovimin e kontratës, na jep stabilitet në krahun tonë të majtë. Për Spahinë është djalë i ri dhe duhet të pres kohën e tij.
Kushtet - Ne si klub jemi mësuar me këto kushte, në vitin e parë nuk jam mësuar, mendja ime ishte diku tjetër, por këtu në Shqipëri i kanë të gjithë njësoj me pak diferenca. Duhet të fokusohemi tek loja, jemi ekip i fortë dhe duhet t'i tregojmë vetes dhe tifozëve që e kemi ndeshjen në kontroll për 90 minuta.
Të gjitha mesazhet nga Teuta janë të çuditshme pasi të gjithë duan 3 pikët, jam i lumtur të takoj Edin dhe Krujën nesër, ky i fundit është shumë i rëndësishëm për Teutën. Marku është rritur shumë, do të jetë një sfidë e mirë nesër, sepse Teuta ka përgatitjen më të mirë fizike në kampionat, mezi pres të luajmë nesër”, tha Brdaric.
Me 22 pikë Vllaznia mban vendin e dytë, dy më pak se kryesuesit e Partizanit. Ndërkohë Teuta me 17 pikë pozicionohet në vendin e gjashtë.