VLORE- Katër shtetas pjesëtarë të një organizate kriminale për trafikim lëndësh narkotike janë vënë në pranga nga policia e Vlorës me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Të arrestuarit Skendër Gockaj, 42 vjec, Juljan Shabani 31 vjec, Adnand Xhelili 42 vjec dhe Erjon Sadikaj 29 vjec të gjithë me banim në Vlorë ishin shpallur në kërkim nga Interpol Roma si pjesëtarë të një organizate kriminale që kryente trafikim narkotikësh.

Gjykata Penale e Leces kishte lëshuar ndaj tyre urdhër-arreste ndërkombëtare për veprat penale “Trafikim lëndësh narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grupe kriminale.”

Operacioni i koduar “Batica” u realizua mbrëmjen e djeshme nga efektiva të policisë së Vlorë të mbështetura dhe nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë. Sipas njoftimit të policisë zbulimi i këtij grupi kriminal u krye përmes metodave të hetimit intensiv të kryera përgjatë periudhës 1 Janar 2009 deri më 5 Shkurt 2010

Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar nga Shqipëria në Itali një sasi të konsiderueshme droge (Cannabis sativa dhe heroinë)
Njërit prej tyre, shtetasit Erjon Sadikaj gjatë kontrollit personal i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një armë zjarri tip pistoletë me mulli me pesë fishekë.
(ns/shqiptarja.com)