Në kuadër të procesit të nisur të konsultimeve dhe dëgjesave publike me qytetarët dhe sipërmarrjen në vend, Zv/Kryeministrja Senida Mesi dhe Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, vizituan një biznes nga industria e përpunimit të peshkut në Qarkun e Vlorës.

Gjatë vizitës në punishten dhe magazinat e ndërmarrjes, Zv/Kryeministrja Mesi dhe Ministrja Qato u takuan me administratorët dhe punonjësit e këtij biznesi, me të cilët u diskutuan problematikat kryesore që prekin këtë industri, si dhe mundësitë e ndryshme për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Gjatë vizitës, Znj. Mesi u ndal tek rëndësia e proceseve te ristrukturimit dhe deregullimit, si pjesë e zotimit të Qeverisë Shqiptare për të lehtësuar barrën burokratike jo vetëm mbi shpatullat e qytetarëve, por edhe të sipërmarrjes. Njekohësisht, ajo nënvizoi gatishmërinë e Qeverisë Shqiptare për të patur gjithmonë një bashkëpunim të hapur dhe energji pozitive me sipërmarrjen me çdo biznes në vend.

Ndërsa, Ministrja Qato u fokusua kryesisht tek rëndësia e eksportit për rritjen e konkurrueshmërisë, “Standardizimi i produkteve dhe kontrolli i qeverisë sa më konform normave të Bashkimit Europian është një nga hapat kyç në të cilët do të fokusohemi gjatë këtij mandati me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas në rajon", theksoi ajo.

sipermarrja mesi qato
(Industria e përpunimit të peshkut që vizituan Mesi e Qato)

Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com