VLORE- Sporti i fluturimeve dhe parashutizmit po njeh një zhvillim të ri në vendin tonë. Në prag të hapjes së sezonit turistik nga qyteti bregdetar i Vlorës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka vlerësuar ecurinë e këtij sporti në Shqipëri. Në takimin që zhvilloi në mjediset e kompleksit turistik të “Kuzum Babasë” në Vlorë, në evenimentin e “Albania Open” me parashutistë nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera të Europës e më gjerë, Nishani, u ndal në vlerat e shumëfishta që ka sporti i fluturimeve, aq më tepër për të promovuar edhe resurset turistike.

“Ky eveniment është një traditë e shkëlqyer, që nuk lidh vetëm Vlorën, por në mënyrë thelbësore edhe Shqipërinë me dashamirësit e këtij sporti dhe të gjithë shqiptarët, kudo ku ata ndodhen”, theksoi Presidenti Nishani.

Ky aktivitet, sipas tij, reflekton mikpritjen dhe qytetarinë e popullit vlonjat, bukuritë e Vlorës, shpirtin aktiv të qytetarëve të këtij qyteti.

“Ky aktivitet është jo vetëm moment reflektimi, por edhe një ofertë për të ekspozuar bukuritë e këtij vendi”, u shpreh Presidenti Nishani.

Ai shprehu vlerësimin për të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet, për mesazhin e shkëlqyer të solidaritetit që përçojnë por edhe për vlerat që përmban sporti.

NISHANI: KULTURA DHE QYTETARIA VLONJATE, SIMBOL PER QYTETIN

Në kuadër të çeljes së sezonit turistik në qytetin e Vlorës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zhvilloi sot në mbrëmje një vizitë në qytetin bregdetar, i ftuar nga Shoqata e Aeronautikës Shqiptare.

Filimisht, Presidenti Nishani, zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ku u vlerësoi ngjarjet kryesore që ka përjetuar ky qytet dhe qytetarët, duke veçuar 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dhe sezonin turistik, që pritet të çelet zyrtarisht pak ditë më pas.

Presidenti vlerësoi qytetarët vlonjatë duke përgëzuar qytetarinë në festimet e 100 vjetorit, ndërkohë që vlerësoi gjithashtu angazhimin e pushtetit vendor dhe të kryebashkiakut Gjika, në festimin e kësaj ngjarjeje madhështore.

“Kultura dhe qytetari vlonjate, janë simbol tjetër i Vlorës”, theksoi Presidenti Nishani. Ndërkohë, duke u ndalur tek periudha parazgjedhore, ai veçoi se qytetarët do të dinë të ushtrojnë të drejtën themelore, të drejtën e votës.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Gjika vlerësoi angazhimin e Presidentit Bujar Nishani, për festimet e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, si edhe këtë vizitë që, sikurse u shpreh ai, “ndonëse është një vizitë kortezie, përmban simbolikën që lidhet me sezonin turistik”.


Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)