VLORE - Policia e Vlorës mundi të identifikojë dhe arrestojë autorin e dyshuar të vrasjes me armë zjarri të shtetasit Sokol Veizi dhjetë ditë më parë në Orikum.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, i prangosuri është shtetasi Bekim Hibraj i moshës 38 vjeç dhe banues po në Orikum. Ndalimi i këtij shtetasi u krye falë një prove shkencore të gjetur dhe të siguruar, konform të gjitha procedurave ligjore, në vendin e ngjarjes.

Gjithashtu bazuar në provat e grumbulluara dhe hetimet e kryera në lidhje me këtë rast dyshohet se vrasja është kryer për motive të dobëta. Grupi hetimor thotë se po punon për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Ndaj Hibrajt rëndojnë akuzat e “Vrasjes me paramendim” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Sokol Veizi, ishte peshkatar dhe u vra me dy plumba në një lokal të Orikumit, 10 ditë më parë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)