ORIKUM, Vlorë - Një peshkatar është vrarë me armë në Orikum të Vlorës rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm në një lokal buzë detit. Policia ka bërë të ditur se viktima është shtetasi Sokol Veizi, 45 vjeç.

Dëshmitarët okularë kanë rrëfyer se autori i krimit dhe viktima kanë qenë të ulur në të njëjtën tavolinë, çka do të thotë se njiheshin mirë me njëri-tjetrin dhe kanë debatuar përreth 15 minuta.

Debati është acaruar më tej dhe dëshmitarët kanë parë se autori ka nxjerrë një armë të tipit pistoletë, ndërsa ka qëlluar dy herë në drejtim të peshkatarit Sokol Veizi, duke e lënë të vdekur në vend.

Policia bën të ditur se janë shoqëruar 6 persona, dëshmitarë në vendngjarje, të cilët kanë sqaruar rrethanat e ngjarjes, por kanë deklaruar se nuk e njihnin autorin e krimit. Për kapjen e autorit, policia ka nisur kontrollet në gjithë zonën e Bashkisë Orikum.
(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)