Qyteti i Vlorës është aktualisht pa ujë të pijshëm. Ujësjellës-Kanalizime Vlorë ka njoftuar qytetarët se shkak është një avari e rëndë në një prej tubacioneve kryesore.
Kjo sipas Ujësjellësit të Vlorës ka bërë që të stakohen të gjitha stacionet e ujësjellësit të qytetit, deri në riparimin e defektit.
Sipas Ujësjellësit, do të punohet gjithë natën me qëllim rikthimin e furnizimit me ujë sa më parë të jetë e mundur. Kujtojmë se nuk është hera e parë që qyteti i Vlorës mbetet pa ujë të pijshëm.
Uji i pijshëm është kthyer në një problem të herëpashershëm në qytetin bregdetar, ndërkohë që institucionet e justifikojnë këtë me punimet që po kryhen në rrjetin e ujësjellësit në qytet.
Njoftimi i Ujësjellësit të Vlorës:
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët se, për shkak të një avarie të rëndë në tubacionin 500, të furnizimit me ujë, pranë zonës “Miramare”, janë stakuar të gjitha stacionet e ujësjellësit.
Grupet e Degës Teknike janë angazhuar në terren dhe do të punojnë gjatë gjithë natës për riparimin e avarisë në kohën më të shpejtë të mundshme, me qëllim shmangien e problematikave të mëtejshme në furnizimin me ujë.
Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve deri në normalizimin e situatës.
Faleminderit për mirëkuptimin!
Komente










