15 tetori, i këtij viti shënon 81-vjetorin e Çlirimit të qytetit të Vlorës nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast nga Bashkia Vlorë në Varrezat e Dëshmorëve, i pranishëm kryetari i komanduar i bashkisë Elis Halili, deputetë të Vlorës, drejtues të tjerë të pushtetit vendor, veteranë, familjarë të dëshmorëve të rënë në luftë dhe qytetarë të Vlorës.
Nën marshet e bandës së qytetit, autoritetet vendosën kurora me lule dhe kryen homazhe pranë lapidarit të Dëshmorëve.
Pas vendosjes së kurorave me lule, kryetari i komanduar i Bashkisë Vlorë Elis Halili, ka mbajtur fjalën e rastit, ndërsa ka përcjellë mesazhin e respektit dhe mirënjohjes për veprën e atyre që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e atdheut.
'Në këtë ditë të shënuar i përulemi me nderim para kujtimit të pavdekshëm të atyre që ngritën pushkën për atdheun. Ata ishin njerëz të thjeshtë por me zemër të madhe dhe me besim të pathyeshëm se Shqipëria do të ishte e lirë’, tha ai.
Më 15 tetor 1944 qyteti i Vlorës dhe rrethinat e tij arritën të çliroheshin nga forcat partizane të Brigadës së 12-të sulmuese,ndërsa dhanë jetën në këtë luftë 710 dëshmorë.
Komente








