VLORE- Edhe pse ende nuk është çelur zyrtarisht sezoni turistik në qytetin e Vlorës, ditë më parë ka pasur dyndje të qytetarëve drejt plazhit. Duke shfrytëzuar edhe ditët e pushimit, vlonjatët, si dhe mjaft vizitorë të ardhur nga qytete të ndryshme e nga Kosova, Maqedonia, po shijojnë plazhet ranore e shkëmbore, por dhe detin Jon.

Jo vetëm në Vlorë, por edhe në Radhimë, Orikum e Dhërmi është shënuar një numër mjaft i madh pushuesish, të cilët këtë vit duket se e filluan më herët plazhin. Vlora të Shtunën, në 11 maj, çel zyrtarisht sezonin turistik veror. Sipas Drejtorit të Turizmit në Bashkinë e Vlorës: “Ditën e hapjes, nga Bashka janë planifikuar një sërë aktivitetesh kulturore, që do të startojnë që të Enjten dhe do të kulmojnë në datën 11, me aktivitete të cilat fillojnë në orë 10.00 në sheshin e ri të “Skelës” dhe përfundojnë të Dielën në mëngjes. Përfshihen edhe aktivitete të jetës së natës, por dhe ato kulturore me pjesëmarrjen e grupeve muzikore të huaja, që do të marrin pjesë në festivalin e 5-të të “Aulona Folk”.

Ndërkaq, shtimi i numrit të hoteleve ka rritur ndjesgëm kapacitetet akomoduese të Vlorës, nivel i cili disa vite më parë ka qenë më i ulët.

Kjo ka bërë që çmimet akomoduese për një natë të jenë konkurruese dhe më të ulëta se Saranda, por disi më të larta se Durrësi. Ato variojnë nga 30 mijë lekë deri në 80 euro sipas cilësisë dhe largësisë nga deti.

Shtrirja e vendeve të pushimit fillon brenda qytetit të Vlorës dhe vazhdon drejt “Skelës”, Plazhit të Ri, Ujit të Ftohtë, Jonufër, Rradhimë, Tragjas dhe Orikum, pa llogaritur këtu Llogoranë, Dhërmiun dhe Himarën.

Të shumta janë edhe restorantet që përshkojnë bregun e detit, ku gatimet e detit janë specialiteti kryesor. Çmimet variojnë dhe në përgjithësi nuk janë të lira. Në të gjithë këtë vijë bregdetare, janë marrë masa që sivjet të pushojnë në këtë Rreth, dyfishi i turistëve që pushuan gjatë vitit të kaluar, duke shtuar numrin e shtretërve, cilësinë e ushqimit, si dhe duke kontrolluar çmimet e këtyre shërbimeve.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)