Vlorë, 9 Prill/ATSH-Harilla Koçi/.-Policia e Vlorës zbuloi dhe asgjësoi sot, një parcelë me bimë narkotike kanabis sativa, ndërkohë që arrestoi një 62 vjeçar.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, gjatë kontrollit të ushtruar në mjediset e banesës së 62 vjeçarit Pëllumb Lataj, në fshatin Vajzë, rreth 60 km në lindje të Vlorës, u zbulua një farishte ku ishin kultivuar 150 kubikë me fidanë të bimës narkotike kanabis sativa, me një lartësi 20-30 cm.
Po ashtu, pak metra më tej u zbulua edhe një parcelë me sipërfaqe 35 metra katrorë, ku ishin mbjellë 30 bimë të të njëjtit lloj, me lartësi rreth 30 cm.
Policia arrestoi në kushtet e flagrancës 62 vjeçarin, ndërkohë që asgjësoi bimën narkotike në përputhje me procedurat ligjore.
Ky aksion i policisë lokale, ishte i pari i këtij lloji për këtë vit në Vlorë, në zbatim të strategjisë kundër kultivimit të bimëve narkotike./a.g/