Policia e Vlorës në sajë të operacionit “Sirena di Mare” ka arrestuar pesë shtetas, Antonio (Eduart) Gani Muho, 34 vjeç, i cili ishte drejtuesi i këtij grupi kriminal, Sokol Ashim Muho, 42 vjeç, pronar i peshkarexhës “Sirena Dimare”, Qazim Elmaz Nebiu, 43 vjeç, kapiten i peshkarexhës “Sirena Dimare”, Erion Kasëm Kasëmi 31 vjeç, pronar i një mjeti lundrues ndihmës dhe Kostandin Aleksandër Shani, 43 vjeç, të gjithë banues në Vlorë.
Të pestë këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të trafikonin drejt Italisë sasinë prej 1 ton e 125 kg marijuanë.
“Në vijim të Operacioneve të sukseshme të kryera gjatë vitit 2012 nga Drejtoria e Policisë Qarkut Vlorë, natën e djeshme është finalizuar me suskes operacioni policor antidrogë i koduar “SIRENA DI MARE” ku është sekuestruar një sasi prej 1 ton e 125 kg lëndë narkotike e llojit “marijuane”, një mjet lundrues peshkarexhe, si dhe janë arrestuar 5 shtetas”, thuhet në deklaratën për shtyp të policisë Vlorë.
Sipas policisë, këta shtetas pasi e kanë siguruar lëndën narkotike në Lazarat, e kanë sjellë në Vlorë në afërsi të Petroliferës dhe nëpermjet varkës së peshkimit me emrin EDI (498. V) e kanë transportuar nga bregu dhe e kanë ngarkuar në peshkarexhen “Sirena Dimare” me pronar shtetasin Sokol Muho.
Më pas nëpërmjet peshkarexhes Sirena Dimare lënda narkotike do të nxirrej deri në ujërat neutrale ku do të vinte një mjet lundrues nga brigjet italiane dhe ta merrte sasinë e lëndës narkotike.
“Drejtoria e Policisë Qarkut Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë, Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Agjensi të tjera ligjzbatuese vazhdon hetimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtij aktiviteti kriminal.”, -thuhet më tej në njoftimin zyrtar të policisë.
Ndërkaq, sipas drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, gjatë kësaj periudhe është sekuestruar 5 ton e 773 kg më shumë lëndë narkotike se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Më 20 tetor të muajit të kaluar, plot 3.7 tonë mariuanë e destinuar për në Greqi nga pika kufitare e Kakavijës u sekuestua nga drejtoria e policisë e Gjirokastrës, sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë në Shqipëri. Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, i cili në atë kohë ndodhej për një vizitë në jug të Shqipërisë, në takimin me drejtorin e policisë së Qarkut Ajet Ibro dhe drejtorit të policisë kufitare, shprehu mbështetjen e SHBA-së. “Keni mbështetjen e SHBA në luftën kundër trafikut të mariuanës”- citohet tu ketë thënë i dërguari i SHBA-së drejtuesve të policisë së qarkut të Gjirokastrës.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)