VLORE - Një 34 vjeçare e cila priste të lindte fëmijën e saj të tretë është bërë viktimë e dhunës së bashkëshortit. Ngjarja është shënuar në orët e para të së  dielës në Orikum të Vlorës. Policia thotë se Shpëtim Çeliku, 35 vjeç vrau me sqepar bashkëshorten e tij shtatzënë 6 muajshe Manushaqe, 33 vjeçe në sy të 2 vajzave të mitura, 3 dhe 7 vjeç.

VRASJA

Një telefonatë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës të dielën (9 dhjetor) ka njoftuar për krimin e rëndë. Telefonata ishte bërë nga fqinjët. Me të mbërritur në banesën e çiftit, grupi hetimor gjeti trupin e viktimës të masakurar me sqepar. Mendohet se vrasja është shënuar rreth orëve të para të mëngjesit të po asaj të diele, ose të shtunën (8 dhjetor). Dhe krimi i tmerrshëm u krye në sy të dy vajzave të mitura, A. C. vjeç 3, dhe XH. C. 7 vjeç.

“Për dy ditë rresht në sy të vajzave te mitura Shpëtim Celiku, ka tortuar bashkëshorten duke e goditur me sqepar në trup dhe në kokë. Më pas e ka lënë në agoni dhe së bashku me vajzat e vogla, 7 dhe 3 vjeçe ka tentuar të largohej por nuk ka mundur” - informon korrespondenti ynë në Vlorë Armand Xhelilaj.

"Nga hetimet e kryera ka rezultuar se viktima e cila ishte shtatzanë ishte qëlluar me sende të forta (sqepar) në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit nga të cilat ka gjetur vdekjen rreth orëve të para të mëngjesit të datës 09.12.2012." - bëri të ditur policia sot paradite nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

BASHKESHORTI FILLIMISHT NUK PRANOI KRIMIN
Sipas policisë, Shpëtimi kishte të paktën 2 ditë që e dhunonte dhe e rrihte të shoqen, derisa e ka masakruar atë. Fillimisht Shpëtimi nuk ka pranuar se ishte ai autori, madje fillimisht ka tentuar të nxjerrë hipotezën se gruaja e tij ishte larguar.
Manushaqja dhe Shpëtimi pinin kafen bashkë çdo ditë më pas me biçikletë, dhe herë në këmbë shkonin në Vlorë të mblidhnin kanaçe, për të siguruar ushqimin fëmijëve të tyre. Por dy ditët e fundit ata nuk ishin parë bashkë dhe banorët e zonës në hyrje të Orikumit, buzë aksit nacional Vlorë- Sarandë, ishin shqetësuar. Shpëtimi fillimisht u tregonte se bashkëshortja ishte larguar nga banesa dhe se ai nuk donte t’ia dinte. Por më pas ka hedhur alibinë se dikush tjetër mund ta ketë vrarë.

"Fillimisht Shpëtim Çeliku, 35 vjeç, në momentet e para të ngjarjes dhe para specialistëve të krimeve të Rënda i është shmangur hetimit duke krijuar një alibi në lidhje me vrasjen për përjashtimin e tij nga përgjegjsia për këtë ngjarje. Por policia thotë "se vrasja ka ndodhur për motive xhelozie dhe se për dokumentimin e autorit të saj janë siguruar të gjitha provat shkencore të pakundërshtueshme."- njoftoi policia.

FQINJA: FLINTE NE KREVAT ME GRUAN E VRARE

Flora Muka është pronarja e një dyqani të vogël ushqimor, ngjitur me banesën përdhese ku Manushaqja jetonte së bashku me dy vajzat e saj dhe bashkëshortin, Shpëtimin. Flora tregon se i vinte keq për 34 vjeçaren e cila ishte 6 muajshe shtatzënë dhe për kushtet e këqija ekonomike ku jetonin prandaj shpesh e ndihmonte.

Sot paradite ajo rrëfeu si kishte mësuar vrasjen dhe tronditjen për krimin e rëndë. “Ato çdo ditë bënin rrugën Vlorë- Orikum me biçikletë ose në këmbë dhe mua më dhimbsej, se Manushaqja ishte shtatzënë 6 muajshe. Kur bëja ndonjë ushqim ia çoja dhe asaj.” - tregon Flora Muka.

Kishte dy ditë që gruaja nuk ishte dhe kishte pyetur 35 vjeçarin. “Ku e ke gruan, mos e ke vrarë ti ore qyq “- kujton Flora t'i ketë thënë Shpëtimit.

Më pas ajo shton se edhe pas vrasjes 35 vjeçari “Flinte në krevat me të”. “Ishte shumë i qetë,vetëm se e ngacmova unë. Më tha nuk se dinte se ku ishte. E pyeta përse nuk kërkonte ndihmë”- kujton Flora.

 Flora kujton se gruaja ishte shumë e urtë. “Ajo ishte shumë e urtë, dhe unë i thoja madje përse nuk flet”- tregon Flora por shton se as Shpëtimi “nuk dukej agresor dhe nuk të linte përshtypjen”.

Shitësja e dyqanit kujton se gjatë këtyre dy ditëve Shpëtimi nuk linte fëmijët të shkonin në dyqan, i dilte tek rruga dhe u thërriste. “Fillimisht iku, u vesh mori dhe fëmijët, ditën tjetër filloi të ulej kërkoi të fliste me burrin tim tha se do lajmëroj policinë”

FEMIJET NE JETIMORE

Aktualisht dy fëmijët, me inicialet A. C dhe XH. C janë strehuar në shtëpinë e fëmijës së Vlorë,.ku janë marrë në kujdesin e personelit të shtëpisë së fëmijës, deri në gjetjen e një zgjidhjeje për kujdestarinë e tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për ndjekje të mëtejshme penale për veprën penale "Vrasje me dashje e kryer në rrethana të cilësuara", parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal.

(Redaksia online)
(axh/sg/shqiptarja.com)