VLORË - Një sasi tritoli shpërtheu në katin e 10-të të pallatit 12-katësh, ku 2 katet e fundit janë pronë e kreut të PD-së në Vlorë, Ardian Kollozi. Ndërsa në katin e 7-të banon Shkëlqim Selami, kandidat për deputet i LSI-së, ish-drejtor i spitalit rajonal të qytetit.

Tritoli shpërtheu rreth orës 02:50 të ditës së sotme (01.06.2013)  në pallatin 12-katësh në lagjen "29 Nëntori", në vendin e quajtur “Kryqëzimi Rinia”. Sipas një njoftimi paraprak në sallën operative  të policisë së Vlorës eksplozivi shpërtheu në shkallët e katit e 10-të rreth orës 02:50 të ditës së sotme (01.06.2013).

Burime nga policia saktësuan më vonë se tritoli u vendos në kangjellat që ndajnë 2 katet e fundit me pjesën tjetër të pallatit. Dy katet janë pronë e kryetarit të PD në qarkun e Vlorës Ardian Kollozi, i cili ndodhet i katërti në listën e kandidatëve për deputetë të PD në këtë qark. Ai banon mes Tiranës dhe Vlorës, por mbrëmë ka qenë në banesën e tij në Vlorë, ku ndodhi dhe shpërthimi. Kati i 12-të ishte papafingo.

Po në këtë pallat në katin e 7-të banon dhe Shkëlqim Selami, i pari në listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së në qarkun e Vlorës, si dhe ish-drejtori i spitalit rajonal të Vlorës, i cili u largua pas tërheqjes së LSI nga koalicioni qeveritar.

Policia e mbërritur në vendngjarje, fillimisht rrethoi zonën dhe nuk ka lënë kamerat TV të afrohen në zonën ku ndodhi shpërthimi. Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në dyert e banoreve dhe në ashensor.

EKSPLOZIVI 200-500 GRAM
Eksplozivi i cili mendohet të jetë nga 200 gramë deri në 500 gramë dhe vala e shpërthimit ka qenë e aq fuqishme sa ka dëmtuar dyert, ka shkaktuar thyerje xhamash dhe vatra e shpërthimit ka lënë një gjurmë me diametër 20 me 10 cm në dysheme. Nuk janë shënuar dëme në njerëz, gjithsesi autoambulancat dhe mjekët rojë kanë qenë prezent. Ndërsa banorët janë tronditur nga vala e shpërthimit.

HETIMET
Policia po heton që prej orës tre të mëngjesit me ekspertë të saj, por të mbërritur edhe nga Tirana. Mbi 15 persona shoqëruar në policinë e Vlorës, disa prej tyre pasi janë marrë në pyetje dhe janë liruar përsëri. Gjithashtu janë marrë filmimet e të gjitha kamerave të sigurisë në zonë ku ka mundësi të zbulohen lëvizjet e një aspo disa personave.

Prokurorë dhe drejtues të lartë të policisë lokale, por dhe të ardhur nga Tirana, kanë qenë në vendngjarje deri në mëngjes kur sërish nuk janë lejuar kamerat dhe gazetarët të afrohen në vendin e shpërthimit. Në Vlorë ka shkuar edhe Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçaj.

Policia shprehet e rezervuar në dhënien e detajeve për shkak të hetimeve, ndërsa burime jo zyrtare bëjnë të ditur se lënda eksplozive mund të ketë pasur si objektiv Kollozin.

Lajmi u publikua rreth orës 05:40 dhe u përditësua në orën 06:50
Redaksia Online
(b.m/sg/shqiptarja.com)