VLORË- Rrugët e qytetit të Vlorës janë të mbuluara nga tymi toksik edhe këtë të shtunë. Prej tre ditësh vazhdon të digjet vendgrumbullimi i mbetjeve urbane që gjendet në periferi të qytetit.

Sot flakët janë vënë nën kontroll, ndërsa mësohet se zjarri është lokalizuar vetëm në një vatër në qendër të fushës. Forcat zjarrfikëse ende po punojnë për shuarjen e vatrës së fundit, por plehrat digjen në brendësi dhe shkaktojnë tym dhe aromë të rëndë.

Nisur nga kjo situatë e krijuar, disa qytetarë protestuan sot Bashkisë së Vlorës me disa panakarta me mbishkrimet: ‘Jo djegies, Duam Vlorën e pastër, Duam Turizëm jo torturizëm’.

Kjo ngjarje e rëndë nuk ka ende autor, ndërsa kryebashkiaku i Vlorës, Erma Dredha një ditë më parë tha se flaka është vendosur nga dora e njerit, ndaj i bëri thirrje policisë të gjejë autorin.

“Zjarri është vendosur nga dora e njeriut, e qëllimshme apo jo nuk mund ta themi. Por është dore njeriu pas zjarrit. Pasi me parë kemi patur temperatura edhe më të larta dhe nuk kemi pasur situatë. Prokuroria e Policia të na ndihmojë të gjejmë autorin”, tha Dredha.

Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Vlorë nuk plotëson asnjë standard. Nga ana tjetër, landfilli i Sherishtës, ndërtuar nga kompania e inceneratorëve, nën hetim nga SPAK, ende nuk është vendosur në funksion edhe pse zyrtarë lokalë patën deklaruar, muaj më parë, se “është shkëputur kontrata me subjektin privat dhe Sherishta ka kaluar në pronësi të bashkisë”.

E njëjta situatë ka qenë edhe vitin e kaluar ku ka vijuar më shumë se 15 ditë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:24
Fusha e mbetjeve 3 ditë në flakë, protestë para Bashkisë së Vlorës: Duam Turizëm

 Prej tre ditësh, në fushën e mbetjeve në Vlorë vijon zjarri, ndërsa tymi toksik ka mbuluar qytetin. Nisur nga kjo situatë e krijuar në Vlorë, ndërsa turizmi është në kulm, disa qytetarë kanë zgjedhur që të protestojnë para Bashkisë së Vlorës.

Duket se këta të fundit kane zgjedh një protestë ne heshtje duke vendosur pankarta para bashkisë. ‘Jo djegies, Duam Vlorën e pastër, Duam Turizëm jo torturizëm’, ishin disa nga pankartat e vendosura para Bashkisë Vlorë.