Vlorë- Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike në Vlorë.
Vihen në pranga ditën e sotme (27 janar) 2 persona të dyshuar që shitnin lëndë narkotike kanabis, në doza, kryesisht në lokale, në lagje të ndryshme të qytetit të Vlorës.
Në pranga ranë J. A., 22 vjeç, dhe E. H., 28 vjeç, të dy banues në qytetin bregdetar.
Sekuestrohen dhjetëra doza kanabisi, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, 1 automjet dhe 2 celularë. Operacioni u krye pas informacioneve nga inteligjenca operative. Ndërhyrja u krye me kontrolle në lagjen “Uji i Ftohtë”.
“Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre dy shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan lëndë narkotike kanabis të ndarë në rreth 100 doza, një shumë eurosh të dyshuar të përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 2 celularë”, tha policia.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, pasi siguronin lëndën narkotike kanabis, e përgatitnin atë në doza me qëllim shitjen, kryesisht në lokale, në lagje të ndryshme të qytetit të Vlorës. Akuza ndaj tyre është “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kurse hetimet i kaluan prokurorisë vendore.