VLORE - Policia e Vlorës tregon nëpërmjet një videoje, grabitjet e realizuara nga personat e vënë në pranga ditën e sotme. Pamjet që shfaqen në këtë video të krijojnë idenë se kemi të bëjmë me fragmente nga një film aksion. Por në fakt janë reale dhe tregojnë se si grabitësit të maskuar dhe me armë shpërthejnë derën e një kazionoje me tendencën për ta vjedhur.

Katër persona janë vënë në pranga, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim në qytetin e Vlorës. Grupi kriminal ka vjedhur nën kërcënimin e armëve dhe me maska të paktën 9 subjekte të ndryshme private, mes tyre 8 pika karburanti dhe një kazino.

Operacioni i koduar “Sfida 2” ka çuar në pranga dy vëllezërit, Nardi dhe Joni Idrizi nga qyteti i Vlorës, si dhe Mario Metaj dhe Armando Nikaj po nga ky qytet, ndërkaq 3 persona të tjerë janë vënë në pranga por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimi.

Grupi i mësipërm drejtohej nga shtetasi Nardi Idrizi, i cilësuar person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe i identifikuar dhe provuar si personi i cili ka hapur zjarr në të gjitha rastet, si ndaj qytetarëve në tentativat për grabitje, ashtu edhe ndaj patrullës së përgjithshme të policisë më datë 22 gusht.

Ndërkaq policia ka sekuestruar armën e zjarrit, një automatik, të përdorur në të gjitha grabitjet. Të arrestuarit kanë pranuar krimin, ndërsa janë vënë në pranga dhe dy shtetas të akuzuar për strehim të anëtarëve të grupit kriminal.

3 ADOLESHENTE TE ARRESTUAR NE KUKES
Edhe në qytetin e Kukësit janë arrestuar 3 adoleshentë për tentative vjedhje me armë në rrugë. Ata kanë tentuar të grabisnin një shtetas maqedonas, duke qëlluar në drejtim të automjetit të tij në aksin rrugor Kukës-Morinë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)