VLORË – Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me Ervis Myrtajn, i cili dyshohet si autor i vjedhjes së një shume parash dhe sendesh personale, në një automjet në përdorim nga dy turistë italianë, më 10 maj.
39-vjeçari, me precedent të mëparshëm për të njëjtin krim, dyshohet si autor 2 vjedhjeve të tjera, në qytetin e Vlorës.
Blutë kanë sekuestruar veshje dhe mjete të cilat dyshohet se Myrtaj i përdorte për kryerjen e vjedhjeve dhe një aparat neuroparalizues (elektroshok).
Gjithashtu është arrestuar edhe babai i 39-vjeçarit, 63-vjeçari i identifikuar me inicialet L.M. pasi pasi të dy së bashku, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë dhe i kanë penguar ata në kryerjen e detyrës.
“Bazuar në rezultatet e hetimit dhe në provat e siguruara, është finalizuar operacioni policor i koduar “Storm 19”, si rezultat i të cilit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit E. M., 39 vjeç, banues në Vlorë.
39-vjeçari dyshohet se është dhe autor i 2 vjedhjeve të tjera, të kryera gjatë kësaj jave, në qytetin e Vlorës, konkretisht i vjedhjes së disa sendeve personale të një turisti të huaj, në automjetin e tij, në Zvërnec, si dhe i vjedhjes së një kablloje dhe një matësi elektrik, në një lokal, në lagjen “Uji i Ftohtë”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin lëvizte shtetasi E. M., në momentin e ndalimit nga Policia, dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan veshje dhe mjete të cilat dyshohet se ai i përdorte për kryerjen e vjedhjeve, si dhe një aparat neuroparalizues (elektroshok).
Në vijim të veprimeve procedurale është arrestuar në flagrancë shtetasi L. M., 63 vjeç, babai i shtetasit E. M., pasi të dy së bashku, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë dhe i kanë penguar ata në kryerjen e detyrës”,-njofton policia.