VLORË - Në Vlorë janë kryer dje dy operacione antidrogë, që kanë rezultuar me sekuestrimin e 900 kg marijuanë dhe 3 arrestime, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.

OPERACIONI "KALAJA"

Kontrolli në një banesë në fshatin Shërishtë të Vlorës çoi në sekuestrimin e 300 kg lëndë narkotike marijuanë. Ajo gjendej në pronësi të Festim Sadedinaj, 50 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Sherisht të rrethit Vlorë, e paketuar dhe e vendosur në çanta të ndryshme sportive. Operacioni i koduar me emrin “Kalaja” nga strukturat antidrogë të policisë së Vlorës bëri të mundur hetimin, kontrollin dhe shkatërrimin e kësaj baze përpunimi dhe paketimi të lëndëve narkotike. Prej hetimeve mbi veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi ka rezultuar se ai grumbullonte lëndë narkotike marijuanë dhe e paketonte atë për llogari të grupeve të ndryshme kriminale. Në cilësinë e provës materiale, këtij shtetasi iu sekuestruan 2 automjete, tip furgon dhe kamionçinë, të cilat përdoreshin për transportin e lëndës narkotike, si dhe një peshore elektronike.

OPERACIONI "SKELA 1"

Po ditën e djeshme nga Strukturat Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Polcisë Qarku Vlorë është finalizuar me sukses operacioni i dytë policor antidrogë, i koduar “Skela 1“, si rezultat i të cilit u sekuestruan rreth 600 kg lëndë narkotike marijuanë, si dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit: Diego Luan Haxhiraj, 27 vjeç, lindur dhe banues Vlorë, i dënuar më parë për narkotikë; Ajet Vesel Çepaj, 51 vjeç, lindur dhe banues Vlorë, si dhe janë shpallur në kërkim edhe 3 persona të tjerë.

Lënda narkotike është sekuestruar brenda një automjeti, tip kamioncinë frigoriferike, në një parking në qytetin e Vlorës. Dyshohet që lënda narkotike ishte bërë gati për t’u trafikuar në drejtim të Italisë në rrrugë tokësore. Nga strukturat Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve.

VlLORË, 2013, 10 OPERACIONE ANTI-DROGË

Nga Strukturat e Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë gjatë vitit 2013 janë zhvilluar rreth 10 operacione policore antidrogë me rreth 3 tonë lëndë narkotike marijuanë të sekuestruar.


Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)