VLORE-Një zjarr i përmasave të mëdha në një garazh në një pallat 10-katesh në zonën e “Ujit të Ftoht” ka alarmuar banorët, të cilët janë evakuuar me shpejtësi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 të kësaj dite te marte.

Disa automjete që ndodheshin në garazh kanë rerzikuar të digjen, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur tre automjete të zjarrfikësve dhe forca të policisë.
Hyrja në garazh ka qenë shumë e vështirë për shkak edhe të zjarrit dhe tymit që dilte nga vendi që ishte përfshirë nga flakët.

Për rreth një orë forcat zjarrfikëse kanë tentuar disa here të hyjnë në brendësi te garazhit ,ndërsa kanë bërë të mundur me pas lokalizimin e zjarrit dhe shuarjen e tij. Duke parë situatën e krijuar është ndërprerë energjia elektrike në pallat ku banorëve u është kërkuar të largohen nga banesat e tyre për të shmangur çdo lloj situate problematike që mund të krijohej.

Pas vetëm një ore forcat e shumta zjarrfikëse kanë hyrë në brendësi të garazhit,duke bërë të mundur lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit. Mesohet se nuk ka patur dëmtime në automjetet që ndodheshin në brendësi të garazhit.

 Nga zjarri  janë  djegur materiale të ndryshme që ndodheshin në brendësi të tij. Shefi i forcave zjarrfikëseve Vlorë,  Luan Kapaj, ka theksuar:
"Ishte një ndërhyrje e vështirë për shkak të vendit qe ishte përfshirë nga flakët dhe faktit që tymi i krijuar krijonte vështirësi tek zjarrfikësit, të cilët kanë bërë gjithsesi të mundur lokalizimin dhe shuarje e zjarrit"

Ndërkohë pritet që vetëm pas dy orësh të behet e mundur edhe evidentimi i dëmeve të shkatuara nga zjarri që përfshiu garazhin në një pallat në zonën e  “Ujit të Ftohtë”. Nga burimet e para të policisë mendohet se zjarri mund të ketë qenë për shkak të një pakujdesie,por pas hetimeve të detajuara pritet të mesohet me shumë rreth shkakut te zjarrit.