/ATSH-Harilla Koçi/.- Pas një periudhe pune 6-mujore në Agjencinë e Zhvilimit Ekonomik Lokal, AULEDA, e reja nga Italia, Mariapaola Pietraci, kthehet për në vendin e saj me një mendim edhe më pozitiv për Shqipërinë. E kishte njohur vendin tonë nga tregimet e miqve dhe të njohurve të saj, që kishin qenë në Shqipëri për arsye shërbimi dhe pushime. Por, duhej të vinte vetë në Vlorë, për të vërtetuar atë opinion pozitiv që i kishin përcjellë bashkatdhetarët. "Keni një vend të bukur, me mjaft resurse që duhet t'i shfrytëzoni", shprehet italiania simpatike, që nuk e ndan për asnjë çast buzëqeshjen nga fytyra e saj.
Por, ajo prezanton edhe një surprizë për ne, shqipen e saj korrekte, të cilën e përvetësoi për një periudhë vetëm pak mujore. Nuk dinte asnjë fjalë shqip, kur mbërriti 6 muaj më parë në Vlorë dhe sot, e realizuam të gjithë intervistën në gjuhën tonë. Ndonëse ngadalë, Mariapaola i artikulon mjaft qartë fjalët dhe e formulon gjithashtu me qartësi, mendimin. Për pothuajse 9 minuta, komunikuam në shqip dhe unë respektova terminologjinë e saj, pa ndërhyrë aspak.
Muaj më parë, e reja nga Roma, që kishte përfunduar studimet për Shkenca Politike në Universitetin "La Sapienza", lidhi një kontratë pune 1-vjeçare me Kooperazionin Ndërkombëtar dhe në bazë të kësaj kontrate, 6 muaj do të punonte në Agjencinë e  Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, në Vlorë. Erdhi këtu në muajin nëntor të vitit 2014, për të përfunduar angazhimin e saj 6-mujor në fillim të muajit maj.
Për Mariapaolën kjo ishte një periudhë mjaft intensive e interesante, e mbushur me punë dhe aktivitete në dobi të komunitetit dhe zhvillimit të Vlorës. Një periudhë që do t'i vlejë në punën dhe të ardhmen e saj në Itali. U njoh me punën që bëhet tek AULEDA, për zbatimin e projekteve në fusha të ndryshme, u angazhua në to me pasion dhe kontribuoi duke shkruar edhe vetë të tilla. "Unë mendoj që, puna e AULEDA-s është shumë e rëndësishme dhe shumë e dobishme për Vlorën dhe më gjerë", thotë Mariapaola, ndërkohë që mes projekteve të shumta që aplikon kjo agjenci, ajo veçon projektin KEPASS, që u konkretizua me integrim programesh dhe mobilitetet e nxënësve në shkolla të vendeve të ndryshme të rajonit, Shqipëri, Itali, Slloveni, Kroaci, Bosnje Hercegovinë etj. "Unë dua të veçoj projektin KEPASS, që ishte shumë inteligjent, sepse përfshiu të rinj nga vende të ndryshme të rajonit. Dhe të rinjtë janë burim i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë. Më pëlqeu shumë ky projekt", nënvizon ajo, ndërkohë që evidenton me mjaft krenari faktin që,  si pjesë e punës tek AULEDA, ishte edhe shkrimi i projekteve dhe ajo e bëri një të tillë, në lidhje me shëndetin mendor dhe integrimin në shoqëri të personave që vuajnë nga këto probleme.
Por, në bashkëbisedimin tonë, ajo pëlqen të përcjellë opinionin e saj për Shqipërinë. Gjatë këtyre muajve ka shkuar në mjaft qytete dhe ka parë vende të bukura e interesante, që i kanë lënë mbresa. "Kur më flisnin miqtë dhe të njohurit e mi në Itali se Shqipëria ishte një vend i bukur dhe interesant, nuk kisha një ide të qartë. Ndërsa tani, pas 6 muajsh këtu në Vlorë, jam e qartë për atë çka përfaqëson vendi juaj", shprehet Mariapaola. Në këndvështrimin e saj, Shqipëria ka shumë potenciale që duhet t'i shfrytëzojë dhe për këtë mendon dhe është e bindur se, do ta bëjë këtë. "Shqipëria, padyshim që do të përmirësohet", thekson ajo.
Por, cilat janë këto potenciale në këndvështrimin e Mariapaolës? Sigurisht, ato që lidhen në rradhë të parë me turizmin. "Kam parë bregdetin tuaj, Sarandën, vendin e mrekullueshëm "Syri i kaltër", Gjirokastrën, Tiranën, Krujën, e cila më pëlqen shumë, Beratin, që është një mrekulli dhe që mësova se është një pasuri që mbrohet nga UNESCO. Nesër do të shkoj në Shkodër dhe jam shumë kurioze për këtë qytet dhe shpresoj që do të jetë shumë i bukur, sikurse edhe vendet e tjera që kam parë në Shqipëri". Në mënyrën sesi flet, ajo përcjell pozitivitetin që ka krijuar gjatë qëndrimit të saj në Vlorë. Është një pozitivitet që, tek ajo është ngulitur dhe do t'i mbetet në mendje. Sepse tani ajo, ndihet edhe pak shqiptare, ose më saktë, vlonjate. Prandaj dhe dëshiron që, gjërat këtu tek ne të ecin shumë shpejt, veçanërisht në fushën e turizmit, që e sheh me mjaft të ardhme.
"Unë shpresoj që këtu të vlerësohet dhe të punohet për zhvillimin e turizmit, për një turizëm të qëndrueshëm. Dhe gjithashtu shpresoj që, herën tjetër kur unë të vij në Shqipëri, vendi juaj të jetë edhe më i zhvilluar", thekson Mariapaola. Dhe me këtë mendim ajo do të kthehet në vendin e saj, në Romën ku ka lindur dhe është rritur. Por, nuk do të harrojë që, imazhin e Shqipërisë së bukur t'ua përcjellë bashkatdhetarëve, të cilët, sipas saj, duhet të vijnë këtu, në Shqipëri.
"Kur të shkoj në Itali, unë do të bëj publicitet për turizmin këtu në Shqipëri, për vlerat tuaja turistike. Sepse unë mendoj që italianët duhet ta njohin edhe më shumë Shqipërinë, sepse jemi shumë të ngjashëm. Dhe italianët duhet të vijnë në Shqipëri".