Rreth 25 objekte në zonën e Tregut të Orizit në Vlorë do të shemben, duke i hapur rrugë projektit për rehabilitimin e kësaj zone.
Sipas kryetares së Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, bëhet fjalë për një projekt të konsultuar me publikun dhe të miratuar në Këshillin Bashkiak. Mes objekteve që do të shemben ka edhe ndërtime që nuk janë klasifikuar nga procesi i legalizimit, ndërsa për ato që janë klasifikuar do të ndiqet procesi i dëmshpërblimit.
“Janë të skualifikuara shumica e këtyre objekteve shtesa prej vitesh. Ka banesa që kanë përfituar nga legalizimi, por janë procese që merren me shpronësimin, do të dëmshpërblehen për këtë aksion. Blloku kërkon që të ketë rrugë të lira. Janë diku te 25 objekte. Objektet që janë identifikuar dhe skualifikuar nga legalizimi, do të jenë të parat që u nënshtrohen prishjeve”, tha Mersini.
Ndërkohë, banorët theksojnë se objektet e tyre janë ende në proces legalizimi dhe se bëhet fjalë për ndërtime më shumë se 30-vjeçare. Ata shprehen se pas shembjes nuk kanë ku të shkojnë, ndërsa thonë se u është ofruar bonus qiraje, por pa një afat të përcaktuar.
“Kanë thënë do të marrim bonus dhe do të aplikojmë për shtëpi sociale. Jemi të dy nga 65 vjeç, as nuk punojmë. Iki, po të më japin shtëpi sociale. E kam ndërtuar që në ’91, është në proces legalizimi. S’na ka ardhur përgjigjja e skualifikimit. S’kemi ku të shkojmë.”
“Nuk na ka premtuar dëmshpërblim. M’u prish biznesi, e kisha përdhes. Njoftimi na erdhi para një muaji. E kam në proces legalizimi”, shprehen disa banore.
Shembjet kanë nisur këtë të martë dhe pritet të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Ndërkohë, po verifikohen edhe objekte të tjera në zonë, për të përcaktuar nëse janë apo jo të përfshira në procesin e legalizimit.











Komente
Komento